Shqipëria e Italia nënshkruajnë marrëveshjen për pensionet

Është nënshkruar në Romë dokumenti përfundimtar i marrëveshjes për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë e Italisë.

Ministrat e Jashtëm të dy vendeve Igli Hasani e Antonio Tajani, kanë nënshkruar dokumentet që mundësojnë njohjen e kontributeve shoqërore. Përfitues do të jenë qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Italinë fqinje.  

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Hasani e ka cilësuar nënshkrimin si “një moment të rëndësishëm për dy vendet pas 15 vitesh përpjekje.

“I uroj gjithë të mirat atyre që do përfitojnë nga ky protokoll”, ka deklaruar ministri.

Sipas të dhënave nga marrëveshja përfitojnë afro 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali si dhe disa mijëra shtetas italianë në vendin tonë.

Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.