Shqipëria radhitet ndër 4 vendet europiane me rënien më të madhe të numrit të fëmijëve, sipas një raporti të Bashkimit Europian.
Raporti merr në konsideratë një interval kohor 10 vjeçar, nga viti 2013 der në vitin 2023. E nga të dhënat e publikuara, rezulton se Shqipëria ka rënie të lartë të numrit të fëmijëve nga moshat 0-5. Vendi është i pozicionuar i katërti, pas Estonisë, Finlandës dhe Italisë, për rënien më të madhe.
Të dhënat tregojnë se rënia më e lartë e fertilitetit ka ndodhur në vitet 2021-2022. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 lindën 22,210 bebe në Shqipëri, shifër kjo e cila është më e ulëta në historinë e vendit, që nga viti i largët 1934, kohë kur nisi dhe regjistrimi i lindjeve mbi baza vjetore. Norma e lindshmërisë në Shqipëri ishte 1.71 fëmijë për grua në vitin 2012, dhe në vitin 2023 zbriti në 1,21 fëmijë për grua.
Të dhënat e Eurostat tregojnë po ashtu një panoramë shqetësuese në të gjithë kontinentin e vjetër, ku në dekadën e fundit ka afro 20% më pak fëmijë.
Raporti i Bashkimit Europian tregon se më 1 janar 2023 jetonin 25 milionë fëmijë nën moshën 6 vjeç në BE, ose 2 milionë më pak se një dekadë më parë.
Sa i përket numrit të fëmijëve të vegjël, Italia dhe Spanja panë rënien më të madhe, me mbi 700,000 fëmijë më pak ndërmjet 2013 dhe 2023.