Shqiptarët bënë me shtëpi 5 familje me jetimë në natën e fundit të Ramazanit

Në natën e fundit të këtij muaji të bekuar të Ramazanit ndodhi magjia e madhe e bamirësisë, kur mijëra e mijëra shqiptarë bëhen bashkë për qëllimin e mirë dhe i ndryshojnë jetën atyre që janë në nevojë.

Kështu ndodhi në emisionin e të premtes në “Për Shqiptarët”. Në një maratonë të gjatë bamirësie, ishin plot 5 familjet të cilat u bënë me shtëpi të reja. 5 familje me fëmijë jetimë, që deri dje jetonin në kushte tepër të rënda, shumë shpejt do të bëhen dëshmitarë të ndryshimit të jetëve të tyre. Gjithçka falë bamirësisë, qëllimit të mirë të mijëra zemrave.

Maratona e bamirësisë nisi me lajmin e mirë për shtëpinë e re të një familje, që vuajtjet i pati të mëdha e të shumta. Liliana dhe dy fëmijët e saj jetimë u futën në shtëpi të re.

Më tutje “Për Shqiptarët” solli historinë e dhimbshme të një familje nga Vlora. Donika rriti e vetme dy vajzat e saj të mitura, pasi të shoqin ia mori sëmundja e rëndë. Kjo nënë po ashtu, e prekur prej tumorit në gji, vijon një betejë 5 vjeçare me sëmundjen, ndërsa e bija 12 vjeçe pëson kriza të forta epilepsie e nuk ka as mundësinë të blejë ilaçet e nevojshme. Shqiptarët ia ndryshuan jetën familjes Lalaj, me një banesë të re dhe një pension mujor.

Maria nga Lezha është një nënë e cila përballet e vetme me çdo vështirësi që i ka sjellë jeta. Me ikjen e të shoqit prej një sëmundje të rëndë, ajo mbeti fillikat me fëmijët, në kushte tepër të vështira dhe pa një banesë. Edhe kjo nënë, mori lajmin e madh në natën e fundit të Ramazanit.

Në videon e mëposhtme  janë momentet e gëzimit për dy familje me 5 jetimë. E para familje, ajo e Fatmirës nga Cërriku, humbi kryefamiljarin vetëm 40 ditë më parë. Në natën e fundit të Ramazanit, shqiptarët i dhanë lajmin që do t’i ndryshojë jetën jetimëve të saj. Familja e dytë nga Torovica e Lezhës, me tre jetimë, po ashtu humbi kryefamiljarin që po bënte gjithçka për të ringritur shtëpinë e rrënuar. Largimi i tij nga kjo botë, la të rrënuar ngrehinën dhe frikën e të shoqes se nuk do të ishte e largët dita kur çatia do të zinte përfund atë dhe tre fëmijët. Në natën e fundit të Ramazanit, bamirësia e shqiptarëve e ndryshoi këtë realitet të hidhur.