Nëntorin e vitit të kaluar në Fondacionin “Firdeus” erdhi letra e një nëne nga Shkodra. Nëna e tre fëmijëve lutej për ndihmë pasi përballej me sëmundjen e kancerit. Më shumë sesa përballja me sëmundjen, Erkanda kërkonte ndihmë për hir të tre fëmijëve të saj të mitur. Thirrja e saj, që fëmijët të mos mbeteshin jetimë.
Shqiptarët zemërmirë i dolën në krah Erkandës dhe ia mundësuan kurimin jashtë shtetit. Nëna e tre fëmijëve udhëtoi në mes të muajit nëntor për një betejë të vështirë, me një buzëqeshje në fytyrë dhe me falenderimet më të përzemërta për të gjithë ata shqiptarë që e ndihmuan.
Muajt kanë kaluar. Kësaj here në Fondacionin “Firdeus” nuk erdhi një letër, por vetë nëna e tre fëmijëve. Ajo na përcolli lajmin e bukur se ka arritur të fitojë betejën me kancerin. Erkandën e takoi Fatma Naçi e Meri Bejleri, ndërsa nëna e tre fëmijëve erdhi si përherë, me një buzëqeshje në fytyrë dhe për të përcjellë një mesazh falenderimi.