Shqiptari i shpëton jetën gruas së bllokuar në makinë, video e aktit heroik pushton mediat britanike

Çimi Kazani po qëndronte në katin e dytë të bar-restorantit të tij në Leiçestershajër (Leicerstershire) në Angli, duke u munduar të gjente fjalë për të pëshkruar shkatërrimin e madh që kishte pësuar biznesi prej përmbytjeve në zonë.

Me të gjitha pajimet elektrike të shkatërruara, ujin e baltën që kishte mbuluar katin e parë të restorantit, Kazazin e kishte pushtuar një ndjenjë mërzie dhe pasigurie për të ardhmen.

Por shumë shpejt, vëmendja e tij u shkëput nga të bërtiturat e fqinjes, e cila nisi ta thërrasë.

“Çimi, Çimi, na duhet ndihma jote”.

Kazazi doli në ballkon dhe një makinë në rrugë, e zhytur thuajse plotësisht nën ujë. Brenda makinës, ishte një grua e cila nuk po dilte dot jashtë automjetit.

Pa u menduar dy herë, shqiptari doli dhe hyri në ujin e akullt, duke lënë pas hallet e tij për t’i ardhur në ndihmë gruas. Dalëndagalë, edhe pse duke rrezikuar jetën e tij, ai iu afrua makinës dhe hapi derën. Aty pa shoferen, e cila ishte në gjendje shoku dhe e traumatizuar.

“Dola jashtë. E dija se ishte e rrezikshme, por isha i shqetësuar për personin në makinë. Ishte shumë ftohtë, shumë shumë keq. Por ngaqë nuk po mendoja për veten në atë moment, nuk e ndjeva të ftohtin. Nëse zonja do të kishte qëndruar për 15 minuta të tjera në makinë, mendoj se do të kishte vdekur. Ishte e frikshme, shumë ftohtë”-tha shqiptari.

Kazazi arriti ta nxjerrë nga makina gruan dhe ta shoqërojë me kujdes tek banesa e fqinjes së saj, atje ku gruaja hoqi rrobat e lagura dhe u vesh me rroba të thata.

“Ajo ishte e traumatizuar, ndodhej në gjendje të rënduar. Komunikoi me mua. I thashë me qetësi të lërë telefonin. Kishte me vete një qese me vete, i thashë të fusë aty telefonin. E kapa për krahu dhe ngadalë ngadalë dolëm jashtë. E solla pranë fqinjes e cila u kujdes për të, e ndërroi dhe i dha pije të ngrohta”-shtoi më tutje Kazazi.

Gjesti i shqiptarit u filmua  dhe bëri xhiron e rrjetit, përfshi këtu edhe në thuajse të gjitha mediat britanike. Shumë qytetarë e përgëzuan Kazazin për veprimin e tij, një veprim që me të vërtetë tregon shpirtmirësinë e Kazazit.

Fill pas aktit të shqiptarit, dhjetëra pjesëtarë të komunitetit i erdhën në ndihmë Kazazit, duke e ndihmuar për të pastruar bar restorantin e tij. I prekur nga reagimi i madh i qytetarëve, Kazazi falenderoi përzemërsisht të gjithë banorët që e ndihmuan.