Shtëpia me çati të kuqe e cila i ‘mbijetoi’ zjarreve që shkrumbuan qytetin e Lahaina

Nëse ndiqni pamjet nga lart të qytetit historik të Lahaina në ishullin Maui (Havai), do të vëzhgoni se zjarret nuk kanë ‘kursyer’ asgjë. Shumica dërrmuese e godinave janë shkrumbuar, kanë rënë në tokë ose janë shkatërruar… të gjitha përveçse kësaj shtëpie 100 vjeçare prej druri.

“Duket sikur është bërë një fotoshop me fotot”-tha pronari i shtëpisë Trip Millikin. Kryefamiljari me të shoqen kishin ikur për pushime gjetkë kur në ishullin Maui shpërthyen flakët, duke i marrë jetën të paktën 114 personave.

Por kur u kthyen, burrë e grua mbetën pa fjalë teksa panë shtëpinë e tyre prej druri pa asnjë dëm.

“Na u mbushën sytë me lot. Ende sot ndihem fajtor”—tha kryefamiljari, teksa në zonë e vetmja godinë që ka mbijetuar është e tija.

Çifti Millikin ende nuk është i sigurt sesi shtëpia prej druri ka mundur të shpëtojë. Dy vite më parë çifti e bleu pronën dhe kreu disa renovime e restaurime (godina ishte ndërtuar për punonjësit në plantacionet e sheqerit). Pronarët vendosën të rregullojnë dhe oborrin e shtëpisë, duke vendosur gurë e duke pastruar bimësinë vërdallë, e mbase kjo ka qenë arsyeja se përse godina mund t’i ketë shpëtuar zjarrit… edhe pse asnjë nga këto vendime nuk u bënë për të shpëtuar godinën nga ndonjë zjarr i mundshëm.

“Shtëpia është 100% prej druri dhe kuptohet që nuk është anti-zjarr.”-tha Dora Millikin, e cila shtoi se mbase distanca mes shtëpive ka qenë faktori kryesor që godina e tyre nuk ka marrë zjarr.

Burimi: BBC/ Përshtati: FCH.al