Gjykata e Durrësit ka vendosur të shpallë fajtor Xhemal Lokën, 45 vjeçarin i cili shtyu drejt vetëvrasjes Bedrie Lokën, nënë 3 katër fëmijëve. 41 vjeçarja u gjet në fund të jetës më 2 janar të vitit të kaluar në banesën e saj. Pavarësisht orvatjes së mjekëve, nëna e 4 fëmijëve ndërroi jetë prej (vetë)helmimit të shkaktuar nga fostoksina.
Fillimisht hetimet u fokusuan tek një profil me përmbajtje denigruese për nënën e 4 fëmijëve, ku postoheshin foto e përmbajtje të turpshme për 41 vjeçaren. Por me thellimin e hetimeve u zbulua më tutje roli i bashkëshortit të Bedrie Lokës, i cili sipas të dhënave të zbuluara nga prokuroria, rezultoi se kishte qenë vendimtar për ta shtyrë nënën e katër fëmijëve për t’i dhënë fund jetës.
Sipas hetimit, u zbulua se Bedrie Loka dhunohej nga i shoqi. Edhe fëmijët e çiftit kanë dëshmuar dhunën, kanë treguar se kanë parë me sytë e tyre sesi i ati kërcënonte me thikë për vdekje nënën. Hetimi zbuloi se 45 vjeçari i dërgonte dhe video të shoqes, duke i thënë se sapo të kthehej nga puna sezonale në Greqinë fqinje, do ta vriste Bedrien.
Gjykata venosi që ta dënojë me 10 vite burgim Xhemal Lokën për akuzat penale të ‘Shkaktimit të vetëvrasjes’; ‘armëmbajtjes pa leje’.
Gjithashtu, Xhemal Loka akuzohet se ushtronte dhunë edhe ndaj fëmijëve, ndërsa ndaj tij ka nisur edhe një hetim i ri.
Njoftimi i Gjykatës së Durrësit
Pranë kësaj Gjykate është regjistruar çështja penale Nr. 835 Akti, me objekt: “Akuzuar per veprat penale”Shkaktim i vetevrasjes”, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve,armeve shperthyese dhe i municionit”dhe “Mbajtja pa leje dhe proidhimi i armeve ,armeve shperthyese dhe i municionit”,parashikuar nga nenet 99,278/4 dhe 278/3 te K.Penal ne ngarkim te pandehurit Xh. L.”
Gjyqtari i çështjes- Sh.Liçaj.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata me Vendimin Nr. 7499, datë 19.12.2024, ka Vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.L për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh. L.për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim.
4. Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
5. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
6. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal-Një armë zjarri automatike PPS me nr.89-0579; të kaloj në favor të shtetit pasi vendimi të marrë formë të prerë.
7. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal vlerat monetare 2800 (dymijë e tetëqind) Euro dhe 27’000 (njëzet e shtatë mijë) lekë, t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
8. Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Durrës, sot më datë 19.12.2024.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.