Si duket situata në pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë: Merdarja, Jarinja e Bërnjaku vijojnë të jenë të bllokuara për kamionët

Pika kufitare në Merdare vijon të jetë e bllokuar për kamionët dhe autobusët që vijnë nga Serbia. Situatë e ngjashme është dhe në pikën kufitare të Jarinjës, ndërsa në Bërnjak kalimi është bllokuar krejtësisht për hyrjen dhe daljen e mjeteve.

Pavarësisht bllokadës së kamionëve e autobusëve, makinat private mund të kalojnë, por qytetarët po shfrytëzojnë të tjera pika kufitare, më së shumti në Kamenicë (Dheu Bardhë).

Edhe lëvizja e kamionëve e autobusëve nga Kosova për në Serbi është bllokuar, ndërsa autoritetet e Kosovës njoftuan (dje) se lëvizja nuk mund të bëhet në pikëkalimet kufitare në Jarinjë e Merdare.

Në afërsi të Merdares ka edhe disa bllokada të vendosura nga serbët, të cilët kanë pamundësëruar lëvizjen e kamionëve apo autobusëve që vinin nga Kosova.

E bllokuar rezulton të jetë dhe rruga nga Rashkë në Mitrovicë, ku po ashtu ka protestues serbë që thonë se me bllokadën duan të ndikojnë tek autoritetet në Prishtinë për të hapur kufirin në Jarinje.

Kujtojmë se qeveria e Kosovës shtrëngoi kontrollet kufitare me Serbinë si dhe ndaloi hyrjen e kamionëve me targa e mallra serbë në territorin e saj. Vendimi erdhi fill pas rrëmbimit të tre oficerëve kosovarë të kufirit nga ana e forcave speciale serbe, në territorin e Kosovës.