Si humbi jetën punëtori 24 vjeçar në Vlorë, prangoset drejtuesi teknik i gurores, shoqërohet administratori

Një punëtor në moshë të re humbi jetën pasditen e të martës në një gurore në Brataj të Vlorës, ndërsa këtë të mërkurë autoritetet kanë vënë në pranga drejtuesin teknik të subjektit.

24 vjeçari Jurgen Veshi punonte me një skrep kur papritur është goditur nga një masiv gurësh. I riu ka marrë plagë të rënda dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Autoritetet shoqëruan një sërë personash mes tyre dhe administratorin. Gurorja kishte pak ditë që ishte hapur. Në pranga përfundoi një 34 vjeçar që kishte detyrën e drejtuesit teknik, pasi policia dyshon se nuk janë marrë masat për zbatimin e rregulloreve në punë.

“Vlorë/Vihet në pranga, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, drejtuesi teknik i gurores në fshatin Brataj, ku dje humbi jetën një punëtor.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Brataj, ku gjatë punës në gurore, humbi jetën pasi dyshohet se gjatë punimeve me skrep u dëmtua nga gurët, shtetasi J. V., 24 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë kanë arrestuar shtetasin:

E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i gurores në fshatin Brataj, pasi dyshohet se nuk ka marrë masat për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë, në këtë gurore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtje në punë”.”-njoftuan autoritetet.