S’i jepnin shërbime e ilaçe, i orientonin në privat pacientët… zbardhet skema abuzive në  ‘Onkologjikun’ e Tiranës

Një skemë e mirfilltë e cila në thelb të saj kishte orientimin e pacientëve të prekur me kancer nga spitali shtetëror, drejt atyre private, ku qytetarëve që përballen me sëmundjen e shekullit, u duhej të paguanin për shërbime që duhej t’i merrnin falas.

Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me seksionin e krimit ekonomik në policinë e shtetit, kanë zbardhur skemën abuzive ku ishin të përfshirë një sërë mjekësh e specialistësh në spitalin Onkologjik në QSUT.

Prokuroria ka zbardhur skemën abuzive, sipas të cilës mjekë e specialistë në bashkëpunim me njëri- tjetrin nuk i jepnin shërbimet e nevojshme pacientëve në shtet, por i drejtonin në klinika private. Veç kësaj skeme, pacientëve u duhej që të blinin dhe barnat e kushtueshme për kemioterapi, që tregtoheshin në farmaci që po ashtu ishin të përfshira në skemë.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT. Nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.”-njoftoi organi i akuzës.

Veç kësaj, hetimet kanë zbuluar se aparatura për kobalto-terapinë, e përdorur në veçanti për rastet e kancerit të lëkurës, ishte nxjerrë jashtë kushteve teknike. Madje aparatura,e instaluar për herë të parë në 2021 në QSUT, ishte kthyer në burim rreziku për mjekët e personelin, për shkak të rrezatimit.

“Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje.”-njofton prokuroria.

Të arrestuarit:

-Arrest në shtëpi për mjekun Edmond Gashi, 44 vjeç, i akuzuar shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për koordinatorin pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, 36 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për mjeken Alketa Ymeri (Pere), 53 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për zv/drejtoreshën në QSUNT, e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Brikena Qirjazi, 52 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.

-Arrest në shtëpi për administratorin e farmacisë “Flori Farma”, Florian Marku, 42 vjeç, i akuzuar për tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë dhe ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë.

-Detyrim për t’u paraqitur për Halil Gashin për fshehje të të ardhurave.

-Detyrim për t’u paraqitur për ish-specialisten pranë QSUNT, Drilona Kishta, e akuzuar për shpërdorim detyre. (Vendimi për të nuk është ekzekutuar pasi është jashtë vendit).

Njoftimi i Prokurorisë:

Zbulohet skema abuzive e transferimit të pacientëve nga Onkologjiku në spitalet private me qëllime përfitimi, Prokuroria Tiranë jep masa sigurie për 7 mjekë e specialistë.

Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi” në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ka finalizuar operacionin policor “Kobalti”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin F. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;

– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin E. L., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen A. Y. (P)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen B. Q., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin H. G., banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;

– Për shtetasen D. K., për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal, pasi ajo rezulton jashtë RSh-së.

Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin.

Gjithashtu, në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar.

Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore.

Materialet i kaluan Prokurorisë.