“Si mund të pi ujë, kur Martini im…” Tezja e 14 vjeçarit humb ndjenjat në protestë

Disa prej familjarëve të Martin Canit, morën pjesë në marshim protestën e mbajtur këtë të enjte për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi për vrasjen tragjike të 14 vjeçarit, pak metra larg shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’.

Në mesin e tyre, veshur me të zeza, ndodhej dhe tezja e të ndjerit, e cila gjatë qëndrimit përballë Ministrisë së Arsimit, nuk është ndier mirë. Disa të afërm e të pranishëm i kanë ofruar ujë, ndërsa ajo jepte këtë mesazh.

“Drejtësia duhet të vihet në vend. Nuk e çuam në luftë që të na e therin, e çuam në shkollë. Gjithë Shqipëria ka mbajtur zi për nipin tim, brenda dhe jashtë vendit. Duam vetëm drejtësi. Si mund të pi ujë kur Martini nuk pi? Katër ditë kanë kaluar dhe Martini nuk pi më as ujë,” tha tezja e të ndjerit.

Më pas tezja e 14 vjeçarit ka humbur ndjenjat gjatë protestës. Familjarët e kanë shtrirë në tokë, ndërsa në vendin e ngjarjes ka mbërritur një ambulancë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.