Silvinjo: Me Kroacinë luajmë për fitore! Gjimshiti: Ndaj Italisë duhet të ishim më inteligjentë

Më pak se 24 orë larg ndeshjes së dytë në Euro24, trajneri i kuqezinjve thotë se Shqipëria do të zbresë në fushë për të fituar ndaj Kroacisë.

Në konferencë përballë gazetarëve, Silvinjo shtoi se ndeshja do të jetë e vështirë, por nga ana tjetër është një gëzim i madh për të si trajner dhe të gjithë ekipin, që luajnë në Euro24 përballë kundërshtarëve të kalibrit të lartë.

Pyetje përgjigjet me trajnerin Silvinjo

Si është gjendja e skuadrës?

Silvinjo: Në këtë moment jemi të gjithë në formë. Kemi pasur një seancë të shkurtër këtë pasdite dhe do të flasim me stafin në hotel, por nuk kemi asnjë të lënduar dhe të gjithë janë gati për sfidën e nesërme ndaj Kroacisë.

A mund ta cilësojmë si një finale këtë sfidë me Kroacinë?

Silvinjo: Patjetër. Ky është një grup shumë i vështirë, por është një gëzim shumë i madh për ne shqiptarët, pasi luajmë kundër ekipeve më të mira dhe mësojmë prej tyre. Luhet 90 minuta pa kompromis dhe duhet të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat. Kemi kundërshtarë që luajnë në klubet më të mëdha në botë dhe është e mrekullueshme të luajmë ndaj skuadrave të tilla, ndaj nuk do të heqim dorë asnjëherë për të kërkuar rezultat pozitive. E respektuam Italinë, por kërkuam të shmangim humbjen deri në fund dhe me pak fat mund t’ia dilnim. Ndoshta ia dalim nesër ndaj Kroacisë.

Kroacia është një skuadër që krijon shumë raste. Ka shumë yje, por disa në perëndimin e tyre. Çfarë ideje keni krijuar për këtë skuadër?

Silvinjo: E kemi studiuar Kroacinë dhe ndaj Spanjës ata u mposhtën 3-0, por luajtën shumë mirë dhe krijuan shumë raste për të shënuar. I krijuan shumë probleme Spanjës, që shënoi golat e vet në vetëm 29 minuta. Kroacia ka lojtarë teknikë, të fortë fizikisht dhe me cilësi të larta pasimi. Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne kemi lojtarë cilësorë si kapiteni Gjimshiti, Asllani, Broja, Muçi, etj., disa prej të cilëve të rinj dhe kanë nevojë ende për t’u rritur. Këto ndeshje do t’i ndihmojnë shumë ata të përmirësohen.

Ndaj Italisë ka pasur kritika se e keni respektuar më shumë se duhet kundërshtarin, duke mos e sulmuar…

Silvinjo: Nuk është se ne nuk e sulmuam Italinë, por ata nuk na lejuan ta sulmojmë. Kemi sulmuar me tre, por ata kalonin me rreshtimin me 5 mbrapa dhe shumë mesfushorë. Italia është mbrojtur shumë mirë dhe duhet të pranojmë se ky kompeticion ka nivel shumë të lartë. Mos harroni, Italia ka mesfushorë si Jorginho e Barella, dy futbollistë të një niveli shumë të lartë dhe ne duhet të jemi të lumtur që luajmë kundër tyre. Për ne kjo është sfiduese dhe mund të bëjmë shumë, pasi rritemi edhe vetëm duke u përballur me ta. Në këtë këndvështrim, them se kemi bërë një ndeshje të mirë. Kemi shënuar, kemi pësuar dy gola shumë shpejt, por sërish nuk jemi dorëzuar.

Mesfusha e Kroacisë është padyshim shumë e fortë. Si e keni menduar t’i përballoni?

Silvinjo: Është e vërtetë, mesfusha është zemra e tyre. Kanë emra si Brozovic, Modric, Kovaçiç, apo Perisic, të cilët kanë luajtur dhe luajnë në nivelet më të larta, ndaj do të jetë shumë e vështirë. Duhet të luftojmë shumë dhe të bëjmë kujdes, për të mos u lejuar shumë, pasi dinë të shfrytëzojnë çdo gabim.

Në konferencë ishte dhe kapiteni i kombëtares Berat Gjimshiti, i cili tha se përballë Kroacisë do të mundohen të tregohen më inteligjentë në fushën e lojës, duke nënkuptuar mosbërjen e të njëjtave gabime në ndeshjen me Italinë.

Sa ndryshon Shqipëria nga Kroacia? “Kroacia është në rolin e favoritit. Besoj që u duk në ndeshjen kundër Italisë, kur kemi përballë kampion siç ishte Italia, çdo gabim i vogël ndikon. Ne duhet t’i përmirësojmë ato episode që të bëjmë më mirë ndaj Kroacisë.

A keni folur me Pasalic? “Për këto momentet e fundit jo, por kur ishim në skuadër kemi bërë shaka. Ajo që më ka mbetur në mendje ishte që më tha se Kroacia nuk ka luajtur kurrë kundër Shqipërisë, besoj se do jetë bukur që do luajmë kundër dhe që do e takoj është një djalë i mirë”.

Si është gjendja psikologjike e skuadrës?  “Është shumë e rëndësishme, gjendja psikologjike është më e rëndësishme se lodhja fizike. Kam folur me disa lojtarë dhe sigurisht që duhet të japësh kurajo, pasi as ne nuk kishim ato pritshmëri ndaj Italisë. Duke qenë se kam pak më shumë eksperiencë dhe më shumë vite se disa lojtarë, mundohem t’i ndihmoj disa nga lojtarët që janë më të rinj.”

Duhet të kuptojmë ritmin e lojës: “E kam thënë pas Italisë që duhet të jesh pak më shumë inteligjent në këto lloj ndeshje dhe ta ndalësh ritmin e kundërshtarit. Nuk duhet vetëm të jesh i bukur në fushë, por të jesh edhe pak i pistë dhe në fund të marrësh atë që meriton.”

Pas humbjes ndaj Spanjës, Kroacisë i duhet pikët, si mendoni se do jenë kundër Shqipërisë? “Ata humbën 3-0 ndaj Spanjës dhe patjetër që do kërkojnë të marrin pikë, Për ta nuk ishte e lehtë ndaj Spanjës ashtu si edhe për ne ndaj Italisë. Patjetër që do të jetë e vështirë, pasi nga të dyja skuadrat do kërkohet maksimumi, pastaj do ta shohim nesër si do jemi.