Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 18 janë arritur të shuhen. Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike të dhënat e fundit lidhur me situatën me zjarret në vend. Vijojnë ende të jenë aktive vatrat e zjarrit disa zona pyjore në Maliq, në fshatin Kus, Mushkin në Qafshtamë etj.
Sipas komunikatës në operacionet për shuarjen e zjarreve në 24 orët e fundit janë angazhuar 599 forca operacionale dhe 452 mjete.
Njoftimi:
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 18 janë shuar, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale.
Vijojnë të jenë aktive ditën e sotme vatra e zjarrit midis fshatit Kakarriqit, njësia administrative Balldren, dhe fshatit Gjadër, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë, zjarri në fshatin Zavaline, bashkia Elbasan.
Në njësinë administrative Gostimë, bashkia Elbasan po punohet për shuarjen e një tjetër vatre. Ekipet e emergjencave vijojnë punën për shuarjen e vatrave edhe në zonën pyjore Bode, bashkia Maliq, në fshatin Kus, bashkia Tiranë, në fshatin Mushnik, bashkia Rrogozhinë, në fshatin Vorfë, bashkia Malësi e Madhe, në fshatin Salari, bashkia Tepelenë si dhe në parkun kombëtar Qafshtamë, bashkia Krujë.
Aktualisht vatrat nuk paraqesin rrezik për zona të banuara.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve në 24 orët e fundit janë angazhuar 599 forca operacionale dhe 452 mjete.
Kërkojmë nga të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile angazhimin e tyre maksimal për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarret.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për cdo problematikë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë ndërprerje ndjekjen e situatave dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.