“S’kam bo kurrgjo… Çfarë deklaruan dy të miturit e akuzuar për vrasjen e jetimit 18 vjeçar në Podujevë

Dy të miturit 16 e 17 vjeçarë, të dyshuar për vrasjen e 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu, e kanë kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit, duke shpjeguar para gjykatës se pas sherrit për radhën tek berberi me të ndjerin, ky i fundit i ka goditur me thikë.

Media e Kosovës ka zbardhur deklarimet e dy të miturve, të cilët kanë shpjeguar versionin e tyre të ngjarjeve. Njëri prej tyre ka deklaruar se e ka hasur në rrugë jetimin e ndjerë teksa udhëtonte me makinë së bashku me mikun e tij. Sipas tij, ai e ka pyetur ‘pse më shave’, ndërsa i ndjeri i ka thënë të ndalojë makinën e të flasin sy më sy.

“…E ka çel derën e makinës dhe ja ka nis me më sjell me thikë, më ka therë në këmbë dhe po ashtu xhupin e kam pas të shkym se disa here u mundua me më therë. I dyshuari i dytë, ka qenë me mua, ai ka dal nga vetura ja ka kap dorën L., dhe jena ikë nja 10 metra, mandej kena ikë me veturë e gomë të shpërthyer 10 metra”, thuhet të ketë deklaruar i dyshuari i parë.

Pas përleshjes, i dyshuari thotë se e ka gjetur shkopin dhe më tutje e ka ndjekur me makinë të ndjerin. Momenti është filmuar dhe nga një kamera sigurie.

“E kam kap shkopin e kena hyp në kerr  dhe ju kam leshu me ndjek me veturë dhe kur na ka pa L., e kam pa që thikën e ka mbajt, në ato momente dola prej vetes, jam mundu me koqit kerrin por me dije timen L., nuk e ka prek makina. Kam dalë prej mjetit dhe i kam ra L., me shkopin e drurit në dorë ku e ka pas thikën dhe i kam thënë lësho thikën. Nuk e ka lëshu thikën e ka mbajt në drejtim timin, me pas e kam godit me shkop në kokë mbrapa, sigurt nuk e di, në anën e djathtë”, thuhet në deklarimin e të dyshuarit të parë.

I dyshuari i dytë ndërkohë, ka rrëfyer se ai nuk ka ‘bërë kurrgjë’ në dëm të viktimës.

 “Unë nuk jam për kësi lloj punësh deri në këtë pikë qysh ka ndodh, unë jam nxënës, unë ditën kritike veç kam tentuar me i nda dy herë.

Kur (viktima) ka tentuar me godit (me thikë) në pjesë tjera të trupit, kam dalë edhe unë e kam tërhequr L., prej të dyshuarit të parë, i cili veç e ka mbyll derën e veturës. Dhe unë jam kthy kam hip në veturë, i kam thanë (të dyshuarit të parë), na ço në shpi. Në momentin kur ai e ka pa gjakun në këmbë, ka ndal veturën dhe e ka marrë një shkop. Unë shkopin më herët nuk e kam pa deri në vend të ngjarjes. Çfarë ka qenë nuk e di sigurt. Ai e ka godit L. (viktimën) fillimisht në dorë, nuk e di sigurt ku e ka rrokur, ndërsa unë nuk e kam godit L.”, thuhet të ketë deklaruar i dyshuari i dytë.