“S’kam kontakte me djalin prej 1 jave” Babai në Lushnje denoncon zhdukjen e 24 vjeçarit

Një 50 vjeçar nga Lushnja ka denoncuar zhdukjen e të birit 24 vjeçar, i cili prej afro 8 javësh kishte shkuar si emigrant në Gjermani.

Babai e depozitoi denocimin e tij më datë 25 gusht duke u thënë oficerëve se prej mëse një jave nuk ka asnjë kontakt me djalin, i quajtur Klaudio Çekrezi. 24 vjeçari jetonte prej dy muajsh në një zonë kufitare mes Gjermanisë e Zvicrës dhe ka humbur kontaktet me familjen.

Këtë të martë (27 gusht) policia njoftoi mbi rastin, duke thënë se ka kontaktuar me autoritetet gjermane për gjetjen e të riut shqiptar.

“Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi L. Ç., 50 vjeç, i cili kallëzon se prej një jave ka humbur kontaktet me djalin e tij, shtetasin K. Ç., 24 vjeç. Po bashkëpunohet me partnerët, për gjetjen e 24-vjeçarit”, thekson policia.

Hetimet vijojnë ende për gjetjen e të riut e zbardhjen e arsyeve se përse ai ka humbur kontaktet me familjen.