Një rast skandaloz është denoncuar mbrëmjen e djeshme në spitalin gjinekologjik të Tetovës, atje ku një mjek anestezist rezulton të ketë xhiruar gratë shtatzëna në salla, gjatë një “live battle” në rrjetin social ‘Tik Tok’.
Video e këtij rasti është filmuar nga ndjekësit që kanë parë live pamjet që transmetonte në celularin e tij anestezisti.
Ministria e Punëve të Brendshme ka lajmëruar se mjeku anestezist është arrestuar.
“Më 14.04.2023, në ora 23:40, në Odri të Tetovës, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria V.D. (43), duke vepruar pas kallëzimit të P.V. , drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se V.D., i punësuar si anesteziolog në spital, ka filmuar dhe publikuar përmes rrjetit “Tik Tok” personelin mjekësor dhe pacientët të cilëve iu është ofruar ndihma mjekësore”, thonë nga MPB.
Drejtori i Spitalit Pëllumb Vela, i cili e denoncoi rastin në organet kompetente, tha se pret që institucionet të hedhin dritë mbi këtë skandal.
“Si drejtor edhe për të paraqitur rastin dhe me organet e rendit do të zgjidhim këtë çështje, sa më shpejt të jetë e mundshme. Kjo ngjarje nuk është e kuptueshme për ne dhe e dënojmë çdo sjellje joprofesionale të stafit mjekësor ndaj pacientëve,”- tha Vela.