Shqipëria nuk luan sot, por të gjithë presin këtë mbrëmje ndeshjen e dy më të fortëve të grupit B, Spanjën dhe Italinë.
Një ndeshje ku diskutohet se cili nga ekipet do të jetë i pari që kualifikohet për në fazën e ardhshme të Euro24, por njëkohësisht një ndeshje që i intereson dhe kuqezinjve.
Për Shqipërinë dhe shanset e saj për kualifikim, një fitore e Spanjës do të ishte më e mira e mundshme.
Në rast të fitores së Spanjës me Italinë, “los rojos” do të luanin me Shqipërinë qetësisht, duke qenë të parët e kualifikuar nga grupi i ‘ferrit’. Gjasat janë që Spanja të vijë përballë kuqezinjve me ekipin e saj të dytë, diçka që mund të shfrytëzohet nga kombëtarja jonë.
Më 24 qershor Shqipëria ka përballjen e saj të fundit me Spanjën. Një fitore e kuqezinjve, do t’i ngjiste në kuotën e 4 pikëve dhe një ndër 4 skuadrat me më shumë shanse për t’u kualifikuar (si vende të treta) në mesin e 6 grupeve.
Edhe golaverazhi i Shqipërisë, aktualisht -1, do të fliste në krahun e kuqezinjve, në rast të një fitoreje me Spanjën.
D të duhet të presim deri të hënën në mbrëmje, kur zhvillohet dhe ndeshja jonë e fundit në grupe. Ndërkohë që këtë të enjte në mbrëmje, kuqezinjve “u intereson” të bëjnë tifo për spanjollët.