Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka dhënë sërish një mesazh në lidhje me sulmin e bërë natën e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në veri, atje ku kanali i Ibër- Lepencit u godit me sasi eskplozivi.
Ai deklaroi se nuk përjashtohet përfshirja e asnjë grupi apo shteti, duke theksuar se kryerja e një hetimi të thellë do të duhet të nxjerrë përgjegjësit.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke rrezikuar vendin, furnizimin me energji elektrike, duke rrezikuar ngrohjen, duke rrezikuar ujin e pijshëm.
Mendojmë që është e rëndësishme të bëhet një hetim gjithëpërfshirës dhe i besueshëm për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i vënë përpara drejtësisë. Në këtë pikë nuk mund të themi se kush është përgjegjës dhe gjithashtu nuk jemi në pozicion për të përjashtuar asnjë grup, shtet apo diçka tjetër, është shumë herët”, tha ai duke theksuar se sapo të përcaktohen kryesit e sulmit, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me autoritetet e Kosovës për t’u siguruar që ata të mbahen përgjegjës.
“Ky është një zotim nga Shtetet e Bashkuara. Unë besoj se është një zotim edhe nga partnerët e tjerë meqë ne të gjithë duam të shohim autorët e këtij sulmi të tmerrshëm kriminal të mbahen përgjegjës”, tha ai.
Kujtojmë se policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me një sasi të madhe lënde shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Autoritetet kanë ndaluar 8 persona të dyshuar dhe kanë kryer disa bastistje në veri të vendit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lënë në burg njërin nga të arrestuarit me inicialet D.V, i cili dyshohet se ka kryer sulmin. Kosova akuzon Serbinë si përgjegjëse direkte për sulmin.