Sulm kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë, vjen reagimi i institucionit

Ditën e hënë institucioni i Kuvendit të Shqipërisë u godit nga një sulm kibernetik. Këtë të martë Kuvendi ka përcjellë reagimin e tij zyrtar duke njoftuar se pavarësisht përpjekjes për të fshirë të dhënat e institucionit, hakeruesit nuk kanë mundur të hyjnë në infrastrukturën e sistemit.

“Gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave. Ju bëjmë me dije se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit.

Ekspertët e IT po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë. Për sa më sipër, dalja LIVE e shërbimeve kërkon kohë pasi po kontrollohen të gjitha detajet dhe vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kujtojmë se po më 25 dhjetor, një kompani celulare u godit nga hakerat, ndërsa përgjegjësinë për sulmin kibernetik e mori “Homelnd Justice”, një grup iranian hakerash.