“Sytë e mi do t’i jepja, vetëm ata të jenë mirë” Nipi e mbesa nuk shohin, gjyshja në lot: Më dhemb shpirti për këta fëmijë

Mesa munden ndihmojnë edhe pse janë në moshë të thyer. Mesa fuqi kanë u gjenden nipit e mbesës, të cilët po humbasin dritën e syve. Me këtë dramë të madhe përballet kjo gjyshe e moshuar, e cila e gjen veten çdo ditë duke qarë për nipin e mbesën, Seitin 5 vjeçar e Eldisën e vogël, veçse 3 vjeçe.

“Kur shoh djalin e nusen që i mbajnë fëmijët në krahë, më dhemb zemra. Kur i shoh këta fëmijë kështu… i mbajnë në krahë. Vetëm nuk i lënë dot, se vriten, përplasen, kanë nevojë për shoqërues.”-thotë mes lotëve e moshuara.

Nipi e mbesa të moshuarës po humbasin plotësisht shikimin. Nëse ata nuk dërgohen për kurim sa më parë, do të jetë shumë vonë. Motër e vëlla do të mbeten të verbër. E kjo mundësi e hidhur i peshon rëndë në zemër gjyshes, e cila i lutet Zotit për një mrekulli.

“Ata fëmijë janë zemra ime, janë mjalti i mjaltit. Jetën do jepja për ata, sytë e mi do jepja, vetëm që ata të jenë mirë. Unë dua që të më shërohen ato fëmijë, të bëhen dhe ata si shokët e shoqet e tyre. I lutem Zotit, të m’i ndihmojë këta fëmijë.”-rrëfen e moshuara.