Tagjedia e mërgimtarëve të Kosovës në lumin Lepenc, familjari rrëfen si shpëtoi nipi 21 vjeçar

Ditën e djeshme dhjetëra ekipe shpëtimi bënë të mundur nxjerrjen e tre trupave të pajetë të një familje nga Kosova, makina e të cilëve ra në lumin Lepenc në rrugën Shkup- Bllacë.

Çifti Naim e Merita Pacolli, së bashku me djalin e tyre 16 vjeçar u shuan, ndërsa djali tjetër 21 vjeçar Shkëlqimi, mundi t’i shpëtojë tragjedisë.

Në lidhje me ngjarjen e dhimbshme që preku shqiptarët anembanë, ka folur për herë të parë vëllai i Meritës, Xhavit Visoka.

Ish kampion i boksit, Xhavit Visoka rrëfeu për gazetën “Express” se dhëndri e dy fëmijët ishin shtetas të Norvegjisë. Merita me të birin 16 vjeçar ishin nisur drejt Kosovës përmes Shkupit, ndërsa Naimi dhe Shkëlqimi 21 vjeçar po i prisnin atje, pasi kishin ardhur më herët në Kosovë.

Visoka: Dhëndri dhe dy fëmijët janë shtetas norvegjez, kanë jetu në Norvegji. Dhandri dhe djali i madh kanë qenë në Kosovë kanë ardhë më herët, tash motra me djalin e vogël kanë pas me ardhë edhe janë ardhë në Shkup, e dhandri Naimi me nipin Shkëlqimin janë dalë me i marrë me kerr. Duke u kthy një tunel që është kah të vish prej Shkupit, para se me mbërri te kufiri është një tunel duke u ndërtuar edhe e kanë vendos një semafor aty para tunelit, me kalu njëherë  në njërën anë njehërë në tjetrën, paska qenë kolonë e tash sipas raportit të policisë, djali paska desht me tejkalu me nxanë semaforin e gjelbërt dhe një djalë 24-vjeç i Maqedonisë i Shkupit me një kerr Tiguan, se ka lanë me hy në tejklaim, ja ka nxanë rrugën, vetëm pak e ka prek dhe aty lumi është afër edhe kanë ra

Visoka shtoi se makinën po e drejtonte 21 vjeçari, ndërsa familja po vinte në Kosovë për pushime verore.

“Si krejt mërgimtarët që vijnë verës, kanë shtëpi marramendëse të madhe në Kosovë, kanë pas jetë luksoze, kanë ardhë 2-3 herë në verë”

I pyetur në lidhje me gjendjen shëndetësore të 21 vjeçarit, Visoka tha “Jo mirë, deri sot si kena tregu që kanë vdek, se edhe ne kemi pas shpresa që po nxirren prej kerrit. Por, kur i pam kufomat aty është pa koment”

Si shpëtoi 21 vjeçari

 “Shkëlqimi tha na ka rrokë një kerr mrapa, por defakto anash…Jena ra tha në lumë por u rrotullu kerri me katër rrotat nalt, jena ra tha në lum, e kur jena ra në lum tha mu ka çel dera dhe jam dal. Kerri u shku tu u rrotullu anash, do djem tha ma kanë gju një litar më kanë nxjerrë jashtë, edhe ka ditë not”, tha daja i Shkëlqimit, Xhavit Visoka.

Lajmin për tragjedinë në Lepenc ia kishte treguar vetë Shkëlqimi dajës së tij.

“Nipi ka telefonu vëllain në Facebook”, tha Visoka për Gazetën Express.

Gjithashtu, Visoka falënderoi bashkëkombasit në Shkup për ndihmën e ofruar, ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla, si dhe FSK-në dhe policinë.

“Duhet me cekë, jam i befasur me bashkëkombasit tonë në Shkup, 24 orë nuk janë largu kurrë nga ne. Na ofruan edhe një hotel, pronari i hotelit “Smira” – ceke të lutëm. Ai tha krejt gratis i keni derisa të kryhet rasti”…Prej Qeverisë, kur e kam telefonu ministrin Sveçla para meje ka arritë te vendi dhe deri në orën 05:20 ka nejt te krahu im pa ma lëshu dorën…Ka thirrë shpëtimtarët, policinë dhe kanë mbërri me drona me zhytësa. Kanë punu kurrë pa ndal, respekt për FSK dhe njësinë Speciale të Kosovës”, u shpreh Visoka.

Pritet që lamtumira e fundit t’u jepet tre të ndjerëve ditën e nesërme.