“Tanimë lutemi për shpirtin e tij” 16 vjeçari shqiptar shuhet tragjikisht në Italinë fqinje

Një ëngjëll 16 vjeçar i cili u largua nga kjo botë tepër shpejt. Kështu shkruan media italiane në lidhje me vdekjen tragjike të një shqiptari në Villafranca në Lunigiana.

Mbrëmjen e të martës Gabriel Alibeaj po kthehej në shtëpi së bashku me miqtë. Të rinjtë udhëtonin me një triçikël, ndërsa Gabrieli ndodhej pas. Pak metra larg shtëpisë së tij, Alibej aksidentohet duke u rrëzuar me kokë në tokë.

Miqtë e tij ngritën alarmanin dhe në vendin e ngjarjes mbërriti një helikopter që e dërgoi adoleshentin në spital.

Të mërkurën shpresat se Gabrieli do t’i shpëtonte aksidentit tragjik ishin të mëdha. Altini, babai i Gabrielit, shkruante në rrjetin social se i duheshin lutje për rizgjimin e të birit. Por të enjten në mbrëmje erdhi lajmi i kobshëm. 16 vjeçari nuk mundi dot t’i mbijetojë lëndimeve në kokë dhe ndërroi jetë.

“I falenderoj të gjithë për lutjet tuaja… tanimë lutemi për shpirtin e tij”-shkroi më tutje në rrjetin social i ati i të ndjerit.

Vdekja e 16 vjeçarit preku të gjithë komunitetin në Villafranca. I riu ëndërronte të ishte futbollist. 16 vjeçari ishte djali i madh i familjes, çiftit Altin e Imelda, të cilët kanë dhe një vajzë të vogël të quajtur Kiara, ashtu siç raportoi media italiane.