Të bllokuar 12 orë në ‘Majën e Çardakut’, momenti kur 5 alpinistët shqiptarë shpëtohen në Bogë

Një grup alpinistësh shqiptarë është shpëtuar pas 12 orësh orvatje në vendin e njohur si ‘Maja e Çardakut’ në malet e Bogës në Shkodër.

Një prej alpinistëve kishte dëmtuar rëndë këmbën, duke e bërë kësisoj të pamundur zbritjen e alpinistëve. Me të marrë njoftimin policia alpine e forcave kombëtare të sigurisë në bashkëpunim me oficerët e malësisë së madhe, emergjencave civile e një grup vullnetarësh, kanë koordinuar veprimet për të mbërritur e ndihmuar turistët.

“Rreth orës 16:50, të datës 04.02.2024, është marrë njoftim se një grup prej 5 alpinistësh shqiptarë kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”, Bogë, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar rëndë këmbën.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe pas 12 orësh kërkime gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i grupit të alpinistëve. 26-vjeçari që kishte dëmtuar këmbën është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.”-njoftoi policia.

Njoftimi i plotë i policisë:

“Pas 12 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte të vështira atmosferike dhe gjeografike, Policia ndihmon një grup alpinistësh të cilët kishin mbetur të bllokuar në një terren malor pasi njëri prej tyre e kishte të pamundur lëvizjen sepse kishte dëmtuar këmbën.

Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, u krye nga Policia Alpine e Forcave Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me Emergjencat Civile, si dhe një grup vullnetarësh.

Rreth orës 16:50, të datës 04.02.2024, është marrë njoftim se një grup prej 5 alpinistësh shqiptarë kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”, Bogë, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar rëndë këmbën.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe pas 12 orësh kërkime gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i grupit të alpinistëve. 26-vjeçari që kishte dëmtuar këmbën është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.”