Të gjithë fëmijët në celular, shoferi autobusit humb ndjenjat në timon… historia e djaloshit që u bë heroi i ditës

Disa javë më parë, pamjet e një kamera sigurie të instaluar në një autobus për fëmijë në Michigan të SHBA-ve, bënë xhiron e rrjetit kudo në botë.

Ato regjistruan momentin kur Dillon Reeves vrapoi drejt shoferit të autobusit, kapi timonin dhe arriti të frenojë automjetin… drejtuesi autobusit pati një episod shëndetësor dhe po humbte ndjenjat, ndërsa autobusi po hynte në korsinë e kundërt, duke rrezikuar seriozisht një aksident.

Por fatmirësisht gjithçka u pa nga djaloshi 13 vjeçar i cili arriti të frenojë autobusin.

“Autobusi po dilte nga korsia, e kuptova në atë moment se duhet të bëja diçka”-tregoi Dillon.

E për prindërit e djaloshit, lajmi erdhi përmes një telefonate nga policia. Ata u alarmuan kur dëgjuan se oficerët e policisë po pyesnin nëse ishin prindërit e 13 vjeçarit.

“ ‘A jeni ju prindi i Dillon Reeves?’… u thashë ‘po’ dhe mendova çfarë mund t’ketë ndodhur. Oficeri më qetësoi dhe më tha, ‘ju marr për një lajm të mirë, djali juaj është një hero’ “-tregoi Steve Reeves.

E pas kësaj ngjarje, një detaj mjaft interesant doli në pah.

Si ishte e mundur se vetëm Dillon kishte arritur të shihte se autobusi po dilte nga korsia dhe se drejtuesi ishte në gjendje të rënduar?

E vërteta ishte e thjeshtë. Dillon nuk kishte celular me vete. Të gjithë fëmijët e tjerë në autobus, ose dëgjonin muzikë në kufje, ose shihnin video ose po luanin… të gjithë në celular. Vendimin për të mos i dhënë celular të birit, veçanërisht gjatë kohës së shkollës, e kishin marrë prindërit e 13 vjeçarit.

“Çfarë mund të bësh tjetër kur nuk ke celular? Do të shohësh njerëzit, do të jesh i aftë të pikasësh diçka, do të shohësh nga dritarja”-tregoi Steve Reeves (njerku i djalit).

Një mësim me një mesazh të fuqishëm… vendimi i dy prindërve, në njëfarë mënyre, u bë shkas që një autobus plot me fëmijë të mos aksidentohej.

Dillon vetë, heroi 13 vjeçar… nuk duket dhe aq i bindur. Fundja edhe ai një fëmijë, mungesën e celularit e përkufizoi si “mund të them se prindërit e mi janë pak tradicionalë”

E mesa duket, edhe heronjtë kanë ditë të vështira.

Burimi: CBS news, On the Road / Përshtati: FCH.al