Të mbushur në lot, kolegët përcjellin me nderime oficerin 28 vjeçar Novruz Cenalia

Me lot në sy, kolegët e repartit ‘Shqiponja’ i dhanë lamtumirën e fundit oficerit Novruz Cenalia, 28 vjeçarit i cili u qëllua për vdekje nga një 23 vjeçar në fshatin Baltëz të Fierit.

Këtë të mërkurë u mbajtën homazhet në nder të oficerit të ri në hollin e Teatrit ‘Bylis’ në Fier. Të shumtë njerëzit që erdhën për të nderuar oficerin e ri, e mes tyre të shumta lotët e atyre në uniformë, që njihnin dhe punonin me Novruzin.

Pas homazheve, arkivoli u transportua drejt varrezave të fshatit Baltëz, aty ku 28 vjeçari do të ketë banesën e tij të fundit.

Kujtojmë se Novruz Cenalia u vra nga 23 vjeçari Azgan Mernica, mesditën e 13 majit në fshatin Baltëz të Fierit. Autori është ende në arrati, ndërsa shkak i ngjarjes dyshohet se u bë një konflikt i çastit.