“Ëndrra ime është të largohem nga dhunuesit e të qetësoj kryt e mia, të jem afër fëmijëve të mi… quhem Elvedina dhe jam viktimë e dhunës në familje.”
Ishte veçse 16 vjeçe kur Elvedina njohu burrin që do të bëhej vetëm brenda pak javëve, bashkëshorti i saj. Elvedina u largua nga banesa e familjes së saj në Obiliq, drejt shtëpisë së të shoqit në Fushticë të Epërme të Drenasit. Por shumë shpejt, jeta e Elvedinës do të ndryshonte. I shoqi nisi të ushtrojë dhunë fizike.
“Dhuna më së pari është shfaqur pas lindjes së vajzës së madhe. Por për shkak të saj, dhunën e kam toleruar, mendova se do të ndryshonte.”-tregoi për Radio Evropa e Lirë e reja.
Për 10 vite, Elvedina duroi rrahjet, derisa një ditë… s’mundi të durojë dot më. Nënë e tre fëmijëve tashmë, ajo mori guximin dhe e denoncoi të shoqin në polici.
“Kur mora guxim, në 2017, pas 10 vitesh martesë… u bë boll më, nuk mundja dot më”
I shoqi i Elvedinës u dënua me disa muaj burgim, pasi e pranoi krimin dhe kërkoi falje. Çifti u ribashkua, por sërish, me ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të katërt, Elvedina u përball me dhunën e bashkëshortit. Që prej vitit 2021, e reja nuk është shkëputur nga ecejaket e endjet nëpër dyert e gjykatave e policisë.
Elvedina tregon se aktualisht jeton në një godinë dhe oborrin e ndan me ish bashkëshortin. Familja e saj nuk ka asnjë mundësi ekonomike, ndërsa ajo është detyruar të lërë nën kujdestari të të shoqit, tre nga fëmijët… kjo për faktin se ai nuk e ndihmon ekonomikisht dhe ajo merr veçse 100 euro përkrahje.
“Veç e shkelin urdhrin… për mua shteti send s’ka bërë. Dënimet janë qesharake. Unë dua drejtësi, të drejtat e mia, nuk kërkoj as me luftu as me u hakmarrë. Më kanë hup shkollimin, rininë time, nuk më ka lënë me punu.”-tha Elvedina.