Nesër (27 shtator) një dritare mirësie do të hapet për të gjithë ata shqiptarë, që si ne, besojnë se kombit i nevojitet sot si kurrë më parë, më shumë humanizëm.
“Për Shqiptarët” rinis rrugëtimin e tij 7 vjeçar, kësaj here në televizionin kombëtar Top Channel.
I ftuar në “Top Story” për një intervistë me Grida Dumën, Elvis Naçi rrëfeu se çfarë e solli në jetë misionin e bamirësisë.
“Besimi ka diçka… besimi pa vepra, mbetet bosh. Për mua ishte domosdoshmëri, që nëse fjalët e mia për ata që më dëgjonin ishin të drejta, nëse nuk harmonizoheshin me vepra, kjo do të ishte veçse një teori boshe. Prej kësaj lindi “Për Shqiptarët”, Fondacioni Firdeus.”,tregoi Elvisi.
Më tutje Elvisi shpjegoi se në këto vite të punës së pandërprerë, kanë qenë mbi 1 mijë rastet të shqiptarëve që janë ndihmuar nga ana shëndetësore e në mesin e tyre, plot 300 fëmijë të cilëve i është shpëtuar jeta falë bamirësisë.
“Kanë kaluar një mijë rastet shëndetësore dhe 300 prej tyre janë fëmijë. Një pjesë e tyre, kanë qenë në kthetrat e vdekjes. Për çfarë ndihem krenar, unë dhe stafi jonë? Shqipëria është ende vend në tranzicion, ka problemet e veta në shëndetësi. Rastet që ne marrim janë të ndryshme. Mund të jetë dhe një familje e mesme, por 200 mijë euro apo 150 mijë euro (faturë mjekësore), është e vështirë. Ne kemi marrë si këto raste. Ne e marrim fëmijën bashkë me bamirësit që dhurojnë për ta, dhe i dërgojmë në spitalin e dytë më të mirë në botë për fëmijë, i cili është “Bambino Gesu” në Romë.”,tha Elvisi.
“Kur kemi biseduar për çështjen e ardhjes tek Top Channel. Më pyetën pse duhet të të hapen dyert. U thashë, për një dëshirë të mirë të përbashkët. Çfarë është kjo më pyetën. I jam përgjigjur, nëse kemi shëruar deri më sot 300 fëmijë, a mundet t’i bëjmë bashkë 600 fëmijë të shëruar?”-shtoi më tutje Naçi.