Të shtëna, gaz lotsjellës e urdhër për nisjen e ushtrisë serbe, çfarë ndodhi në veri të Kosovës

Pas një kohe qetësie, sërish veriu i Kosovës është përfshirë nga tensionet që kanë kulmuar në përplasjen e policisë së Kosovës me tubues serbë. Kësaj here, shkas i ngritjes së tensioneve është bërë ardhja e drejtuesve të rinj të komunave me shumicë serbe në godinat respektive, një ditë pas betimit të tyre. Në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, ka patur rezistencë të banorëve serbë, për të mos lejuar hyrjen e drejtuesve të rinj (shqiptare) të komunave.

Veçanërisht në Zveçan, atje ku njësitë policore të Kosovës janë përplasur me tubuesit që kishin bllokuar derën e godinës së komunës. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok bomba, ndërsa janë dëgjuar dhe të shtëna armës që besohet se kanë ardhur nga kampi tjetër.

Po në Zveçan, situata u tensionua aqsa një grup i paidentifikuar serb nisi të qëllojë me gurë mbi makinat e policisë së Kosovës. Njërës prej veturave iu vu dhe flaka.

Në lidhje me situatën e tensionuar nuk vonoi dhe reagimi i Serbisë. Presidenti Vuçiç dha urdhër që ushtria serbe të vihet në gjendje gadishmërie, në nivelin e saj më të lartë, si dhe të niset në kufirin me Kosovën.

Pas disa orëve tensione e përplasje, policia e Kosovës ka marrë situatën nën kontroll dhe kryetarët e komunave (Zveçan e Zubin Potok) kanë mundur të hyjnë në godinat ku do të ushtrojnë detyrën.

Por duket se situata në veri, është larg së qeni e qetë. Media e Kosovës raportoi se ka shenja se Serbia po bëhet gati të nisë me vendosjen e bllokadave. Konkretisht në afërsi të objektit të komunës së Leposaviqit, një kamion ka hedhur zhavorr në rrugë me qëllim bllokimin e aksit rrugor.

Një tjetër kamion është parkuar po ashtu për të bllokuar rrugën. Televizioni T7 publikoi së fundmi këto pamje (më poshtë) të cilat tregojnë orvatjen e një mjeti të policisë speciale, i cili tenton të shtyjë forcërisht nga rruga kamionin.

Një sërë mediash në Kosovë kanë raportuar se në rrugët ku janë vendosur rëndom barrikadat me mjete të rënda, duket se ka lëvizje të shtuar të palës serbe.