Teleskopi hapësinor ‘Euklid’ ka sjellë imazhet e para në misionin e tij për të kuptuar edhe më shumë mbi misteret e Universit. I lëshuar në verë të këtij viti, misioni kryesor i Euklidit është vëzhgimi i dy prej fenomeneve që mbeten ende një mister i pazgjidhur për shkencën, “materia dhe energjia e errët”. Dy këto ‘influencuese’ ende të pashpjegueshme nga shkenca, mendohet se përbëjnë shumicën dërrmuese të asaj çka ka Universi. Një tjetër mision me rëndësi për teleskopin i cili do të qëndrojë funksional për 6 vitet e ardhshme, është krijimi i një ‘harte’ të detajuar të një të tretës së asaj që shohim në qiellin e natës (një copëz e vogël e Universit)
Së fundmi, ESA (Agjencia Europiane e Hapësirës) ka publikuar imazhet e para që ka arritur të ‘kapë’ teleskopi.
Teleskopi Euklid është i pajisur me një lente me fuqi 600 megapiksel, ndërsa vetë teleskopi ka përmasa 4.5 m × 3.1 m e një peshë prej afro 2 tonësh. Teleskopi Euklid ka kapacitete që e lejojnë të ‘shohë’ e regjistrojë dritën e dukshme (atë që shohin sytë tanë), një spektrometër për dritën afër infra të kuqe-s si dhe një fotometër, për të detektuar ‘zhvendosjen e kuqe” (Redshift) të galaksive që ndodhen miliona e miliona vite dritë larg planetit tonë.