Tensionet në veri, Kurti: E zvogëlojmë praninë e policisë sapo të largohen bandat kriminale serbe

Ata që shtiren si protestues në komunat veriore të Kosovës, në fakt janë banda kriminale të Serbisë. Sapo ato të largohen, mund të mendohet zvogëlimi i panisë së policisë së Kosovës nëpër ndërtesat e komunave në veri.

Është ky qëndrimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili është adresuar sërish në lidhje me tensionet e shtuara në veri të vendit.

“Unë natyrisht që mund ta paramendoj zvogëlimin e [pranisë së] Policisë së Kosovës nëpër ndërtesat e komunave [në veri], atëherë kur të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem, të cilat e adhurojnë Millosheviqin e Putinin. Ato, ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo, nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen, ne do të mund ta zvogëlojmë prezencën”, tha Kurti, në përgjigje të interesit të gazetarëve.

Kurti shtoi se kryetarët e zgjedhur të komunave janë legalë dhe mandatin duhet ta ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.

“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, ka thënë ai.