Tentuan të vrisnin 22-vjeçarin për gjakmarrje por i plagosën hallën… arrestohen porositësi dhe ekzekutori

Mariglen Matjani 28 vjeçar si dhe Leart Hasalla 30 vjeç, janë vënë të dy në pranga nga policia pasi kanë tentuar të vrasin për motive gjakmarrje një 22 vjeçar në fshatin Ballgat të Lushnjes.

Nga të shtënat veçse, e plagosur mbeti halla e 22 vjeçarit, i quajtur Marius Hasalla. 60 vjeçarja udhëtonte në makinë me nipin e saj në momentin kur është qëlluar mbi të, duke e lënë të plagosur.

Personi që kërkonte vrasjen e 22 vjeçarit rezulton të jetë Laert Hasalla, pasi dy vite më parë, babai i Mariusit, Kastriot Hasalla, i ka marrë jetën vëllait të Laertit. Konflikti mes dy fiseve Hasalla nisi për një tokë bujqësore me ullinj (viti 2021).

Laert Hasalla porositi vrasjen e 22 vjeçarit tek Mariglen Matjani. Ky i fundit qëlloi me breshëri në makinën ku udhëtonte i riu me familjarët, ndërsa e vetmja e lënduar mbeti halla e tij 60 vjeçe.

Babai i 22 vjeçarit i cili ishte objekt i atentatit, u dënua nga gjykata me 35 vite burgim. Familjet rezultonin të ishin kushërinj mes tyre.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet si rezultat i një hetimi intensiv tremujor, të kryer me metoda speciale, operacioni policor i koduar “Pasoja e padëshiruar”.

Vihen në pranga porositësi dhe ekzekutori i tentativës për të vrarë me armë zjarri, për motive gjakmarrjeje, një 22-vjeçar.

Nga të shtënat mbeti e plagosur halla e 22-vjeçarit, pasi ndodhej në të njejtin automjet me këtë shtetas, në momentin e të shtënave.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i një pune hetimore intensive tremujore, të kryer me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pasoja e padëshiruar”.

Si rezultat i provave të siguruara në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur zbardhja e plotë e një tentative për vrasje, e ndodhur më datë 30.03.2023, në fshatin Ballagat, si dhe kapja dhe vënia në pranga e shtetasve M. M., 28 vjeç dhe L. H., 30 vjeç, të dy banues në Ballagat, Lushnjë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi L. H. ka paguar shtetasin M. M., për të vrarë për motive gjakmarrjeje, shtetasin M. H, 22 vjeç (babai i shtetasit M. H. akuzohet për vrasjen e vëllait të shtetasit L. H.) Për të përmbushur porosinë e marrë, shtetasi M. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin qarkullonin shtetasi M. H. dhe halla e tij, shtetasja B. S., 60 vjeçe. Nga të shtënat ka mbetur e dëmtuar në këmbë, 60-vjeçarja.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.