Tërmet i fuqishëm 7.1 Rihter në Tibet, të paktën 95 viktima e mbi 130 të plagosur

Të paktën 95 persona kanë humbur jetën ndërsa 130 të tjerë janë plagosur në Tibet, si pasojë e një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.1 Rihter.

Tërmeti goditi rreth orës 09:00 të mëngjesit (me orën lokale), ndërsa lëkundjet u ndjenë deri në Nepal dhe Indi.

Videot e publikuara nga televizioni shtetëror kinez CCTV, treguan dëmet e mëdha dhe shtëpitë e rrënuara prej tërmetit. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për të nxjerrë nga rrënojat njerëzit apo trupat e pajetë.

Veç luftës me kohën e heqjen e rrënojave, orvatjet për të shpëtuar jetë njeëzisht intensifikohen pasi sipas administratës meteorologjike atje, pritet që në orët e mbrëmjes temperaturat në disa zona të prekura nga tërmeti, të shkojnë deri në -18 gradë celsius.

Furnizimi me ujë dhe energji elektrike është ndërprerë në zonat e goditura nga tërmeti. Në orët e para pas lëkundjes së fuqishme, ka patur të paktën 40 pasgoditje nga tërmete me magnitudë e intensitet më të ulët.

Një ndër zonat më shumë të goditura është Shigatse, një prej qyteteve më të shenjtë për tibetianët.