Ishte ora 23:00 kur nisën lëkundjet. Shumë njerëz tashmë ishin shtrirë për të fjetur, kur toka u dridh. Me një magnitudë prej 6.8 Rihter, lëkundjet ishin aq të forta saqë qindra njerëz dolën duke vrapuar nga shtëpitë apo godinat. Paniku i derdh në rrugët e qytetit të Marrakesh, ndërsa epiqendra e tërmetit ishte afro 44 milje larg, në malet Atlas.
Pas tërmetit, nisën pasgoditjet. E para prej tyre ishte një lëkundje me magnitudë 4.9, vetëm 19 minuta nga tërmeti madh.
Aktualisht bilanci i viktimave i ka kaluar 800 persona.
Abdelhak El Amrani, 33 vjeçar dhe banues në Marrakesh tha për AFP-në:
“Ndjemë një lëkundje të furishme… mund të shihja sesi godinat rreth meje lëviznin. Vrapova jashtë. Kishte shumë njerëz. Të gjithë ishin në gjendje shoku dhe paniku. Fëmijët qanin ndërsa prindërit e tyre ishin të shqetësuar”
Një tjetër i mbijetuar i quajtur Michael Bizet (shtetas francez) tregoi se ishte shtrirë në momentin kur nisën lëkundjet.
“Mendova se krevati do të fluturonte tutje. Dola gjysëm i zhveshur në rrugë. Ishte një kaos total, çmenduri, një katastrofë e vërtetë”
Martin Jay, një gazetar nga Britania që jeton në Marok, rrëfeu se u zgjua prej gjumit nga të bërtiturat e njerëzve. Ai tregoi për Radio BBC-në:
“Të parën që dëgjova ishte ime shoqe e cila po bërtiste. Sapo më kishte zënë gjumi, ende nuk isha në gjumë të thellë. Ime shoqe nisi të bërtasë, e fillimisht nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte. Ende nuk po e besoja se isha në mesin e lëkundjeve të tërmetit, çdo gjë po tundej, krevati, dyshemeja e katër muret rreth nesh”

Gazetari tha se njerëzve u ishte thënë që të mos ktheheshin në shtëpitë e tyre pas lëkundjeve të fuqishme.
“Ishim përballë një nate të habitshme, ku në thuajse çdo qytet të Marokut shumica e njerëzve ndodheshin jashtë shtëpive e godinave, duke qëndruar në rrugë apo ambiente të hapura. Të gjithë kishin frikë nga një lëkundje e dytë, pasi po parashikohej se një goditje e dytë do të vinte 2 orë më vonë. Falë Zotit ajo nuk erdhi”
Një banor në Marrakesh i quajtur Fayssal Badour, ishte duke i dhënë makinës kur tërmeti goditi në orën 23:11 me orën lokale.
“Ndalova makinën, e kuptova menjëherë se ishte një katastrofë. Të bërtiturat, klithmat e të qarat ishin të papërballueshme”-tha ai për AFP-në.
Një tjetetër banore në Marrakesh e quajtur Mina Metioui, tregoi se zhurma që bëri tërmeti i përngjante zhurmës së një avioni luftarak… zhurmë që shtohej e shtohej në intensitet sa më shumë sekonda kalonin.
“Gjëja që pashë ishte se e gjithë dhoma ime po lëvizte. Disa piktura të varura në mur nisën të bien. Gjërat nisën të bien dhe aty e kuptova, po përjetojmë një tërmet. Sekondat dukeshin si minuta. Më pas nisa të dëgjoja të bërtiturat e njerëzve teksa dilnin nga godina. Ishte një eksperiencë e tmerrshme.”-tha ajo për BBC-në.
Të paktën 820 persona kanë humbur jetën. Puna ka nisur për të kërkuar në rrënojat e godinave të dëmtuara. Montasir Itri, i cili jeton në një fshat në zonën malorë në Asni (fare pranë epiqendrës) tha për Reuters.
“Fqinjët tanë janë poshtë rrënojave. Po punojnë fort me sa kemi mundësi e me mjetet që na ndodhen për t’i nxjerrë nga rrënojat”
Houda Outassaf ishte duke ecur pranë sheshit të Marrakesh-it në momentin kur nisi tërmeti.
“Kam humbur të paktën 10 familjarë… ende nuk e besoj dot që para pak ditësh isha me ta dhe tanimë s’janë më”
Burimi: BBC/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al