Tërmeti ua dëmtoi shtëpinë, zjarri ia shkrumboi…. vetë i pestë, familja nga Lushnja jetoi në këtë rulotë

Familja e Dashamir Alsanit përjetoi njëlloj si qindra mijëra shqiptarët tërmetin e fuqishëm të 26 nëntorit… por ndryshe nga shumëkush, po atë ditë shtëpia e tij u dogj nga flakët. Familja me pesë anëtarë mbeti rrugëve, ndërsa ato pak kursime që kishin patur, i morën flakët.

Fondacioni “Firdeus” i doli në krah kësaj familje nevojtare, pasi ata nuk kishin veçse një rulotë të vogël për të jetuar. Elvisi e Fatma Naçi vizituan familjen nga Lushnja dhe panë nga afër sesi jetonin burrë e grua, dy fëmijët e tyre (së fundmi djali familjes ka ikur jashtë shtetit) dhe nëna e kryefamiljarit, një grua në moshë të thyer.

Dashamiri, kryefamiljari: Këtu në këtë rulotë kemi ndenjur… katër metër me dy, sa një vend varri si me thënë veti katërt.

Gruaja e Dashamirit: Këtu kemi ngrënë, këtu kemi qëndruar… nuk kishim çfarë të bënim.

Dashamiri, kryefamiljari: Na nxorrët nga e keqja o Elvis, na shpëtuat.

Elvisi: Këtu nuk paska nevojë për koment, paskeni provuar vështirësi të mëdha.

E moshuara,Xhevria: U bëfshi bletë u bëfshi, të rroni sa malet

Elvisi: Shumë e bukur kjo lutje, ku e ke mësuar….?

E moshuara: Një lutje e tatës sime, nga 50 vite më parë…

Elvisi: Shumë e bukur paska qenë, një bletë udhëton nëpër lule e jep mjaltë. Një lutje shumë e bukur paska qenë, Zoti të shpërbleftë.

Fatma: E pamundur këtu të ulen katër njerëz, nuk ju pyes dot sesi keni fjetur… (përlotet)

Gruaja e Dashamirit: Fjetja? Njëra kokën andej, tjetri kokën andej… këtu kemi fjetur veti pestë, çfarë të bënim. Këtu e patëm jetën deri më sot. Në vapë? Në vapë nuk rrihej këtu brenda, shkonte 50 gradë.

Dashamiri, kryefamiljari: Po të mos ishit ju, ne nuk kishim asnjë shpresë. Të gjithë ata që kanë kontribuar, nga ju deri tek shqiptari i fundit, Zoti ua shpërbleftë. Për Zotin, mrekulli keni bërë. Se ditët që po vijnë, robi po ha robin sot.

Pas bisedës në rulotën ku jetuan për një kohë të gjatë kjo familje, tashmë i erdhi koha zbulimit të surprizës së madhe… shtëpinë e re për familjen Alsani, dhënë nga kontributet e shqiptarëve bamirës.