Ursula Banister e kishte bërë ngjitjen në mal dhjetëra herë në 23 vitet e fundit. Në këtë mal ajo kishte kujtimin e nënës së saj, hirin e të cilës e kishte hedhur në një prej vendeve ku kishte fushëpamje, i quajtur High Rock Lookout (Uashington SHBA).
Por për 79 vjeçaren ngjitja e saj e fundit në muajin tetor, do të rezultonte fatkeqe. Kur gruaja po zbriste nga lartësia, njëra këmbë i ngeci në një gropë. E moshuara u rrëzua, ndërsa dhimbjet e forta nisën menjëherë. 79 vjeçarja kishte thyer këmbën.
Në mesin e dhimbjes shpuese, e moshuara bërtet për ndihmë. Për fatin e saj aty pranë ishte një grup të rinjsh. Ata dëgjuan thirrjen dhe vrapuan drejt saj. Njëri prej grupit të tre të rinjve njoftoi ambulancën, por përgjigja që morën ishte dekurajuese.
Operatori i urgjencës i tha se ambulancës e mjekëve do t’i duheshin plot 5 orë për të ardhur deri lart në mal.
Me të dëgjuar këtë, një prej të rinjve, 20 vjeçari Troi Mei (Troy May) vendosi të marrë vetë çështjen në dorë. I riu ishte pjesëtar i Forcve Ajrore dhe besonte se ishte i aftë ta mbante në shpinë të moshuarën, në një rrugë jo fort të lehtë dhe për më tepër, të gjatë plot 1.8 milje (afro 3 km).
“E dija që mund ta zbrisja poshtë, kështu që nuk kishte asgjë për të vendosur, thjesht unë duhej ta mbaja në shpinë të moshuarën dhe ta zbrisja”-tha i riu për Washington Post.
Rrugës në zbritje, të rinjtë takuan një grua e burë që ishin terapeutistë. Gruaja fundit ndihmoi të moshuarën për disa ushtrime me frymëmarrjen, për të lehtësuar sadopak dhimbjen e madhe, ndërsa burri bëri ç’ishte e mundur për të lidhur këmbën e thyer të 79 vjeçares.
Me të zbritur, një ambulancë e dërgoi gruan në spital. Mjekët i thanë të moshuarës se kishte pësuar një thyerje të rëndë, por u shprehën të habitur nga gjendja fizike e 79 vjeçares, duke i thënë se mund të kishte ndodhur shumë më keq duke patur parasysh moshën e saj.
79 vjeçarja kreu operimin dhe është drejt rikuperimit të plotë. Të rinjtë e vizituan të moshuarën, ndërsa 20 vjeçari që e mbajti në shpinë mori medalje nga Foca Ajrore amerikane për aktin e tij njerëzor.
“Jam e mbushur me gëzim dhe mirënjohje, sesi ata të rinjtë ia behën dhe më ndihmuan. Ata ishin shumë të mirë dhe humanë”-tha e moshuara.