Thirrja e një nëne shqiptare: Ju përgjërohem për ndihmë, s’kam mundësi t’ja ndaloj vuajtjet tim biri”

“E vetmja shpresë është ta çojmë jashtë djalin… por çfarë të bëj unë që ta shpëtoj tim bir, nuk kam asnjë mundësi”

Rëndë i peshojnë në zemër këto dy fjalë të fundit kësaj nëne, që do të jepte lirisht jetën sikur djali i saj i vetëm, do të mund të shihte një ditë të bardhë.

Një ditë pa dhimbjet e vazhdueshme, një kohë ku sytë nuk do t’i shihnin derën e spitalit, vigonat që i përshkojnë mishin e dhimbjet që ai ende nuk ka fjalë t’i tregojë.

Me këto skena e momente është pushtuar e gjithë qënia e Sonilës, nënës së Eslit. 16 muaj me radhë, qëkur i biri ishte foshnje e deri sot, kur ajo ia vesh këpucët për ta marrë prej dore.

Lotët i rrjedhin pa ndalim, sepse kjo nënë nuk ka më forcë të mbajë përbrenda trishtimin dhe vuajtjet e 16 muajshe. E drobitur, ajo bën këtë thirrje drejtuar shqiptarëve bamirës.