Kryeministri i Australisë Anthony Albanese shpalosi së fundmi në parlament planin e qeverisë së tij për të ndaluar rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Albanese argumentoi se ka ardhur koha që fëmijëve t’u rikthehet fëmijëria e tyre, ndërsa prindërve paqja mendore.
“Ka një lidhje shkakësore të qartë, midis ngritjes së medias sociale dhe dëmit mendor të shkaktuar në mesin e të rinjve. T’u rikthejmë fëmijëve, fëmijërinë e tyre, t’u japim prindërve paqen mendore. Ta miratojmë këtë ligj për të cilin do të jemi shumë krenarë”,-tha kryeministri.
Plani i qeverisë së Australisë cilësohet si paketa ligjore më e rreptë që parashikon ndalimin e të gjitha rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç. Paketa ligjore parashikon gjoba deri në 32 milionë dollarë për platformat e rrjeteve sociale që do të thyejnë ligjin.
Qeveria parashikon që të nisë një plan pilot për verifikimin e moshës, përmes një sistemi që mund të përfshijë dhe të dhënat biometrike si një mënyrë për ta bërë ligjin më të efektshëm.
Në të parashikohet që të gjithë personat nën moshën 16 vjeç të mos kenë akses në asnjë media sociale, duke nisur nga Tik Tok-u e deri tek rrjetet e tjera si Facebook, Instagram apo X. Prej ligjit preken dhe të miturit që kanë tashmë të hapur llogari në rrjetet sociale, llogari të cilat do t’u mbyllen nëse i përkasin moshave nën 16 vjeç.