Në emisionin e radhës për ‘Historitë e Profetëve në Islam’, vijojmë të kujtojmë historinë e veprat e Ibrahimit a.s
Elvisi shpjegon sesi Ibrahimi u urdhërua prej Zotit për të shkuar të jetojë në një zonë të shkretuar. Të shumta qenë vështirësisë i Profetit Ibrahim dhe të shoqes së tij Haxheres, e cila kishte sjellë tanimë në jetë Ismailin. E pikërisht mes këtyre vështirësive, rrëfehet krijimi i një burimi uji të bekuar, që çdo musliman e njeh si burimi i Zemzemit.
Elvisi: Sara, edhe pse kishte një dashuri të madhe për Profetin Ibrahim a.s, e pranon faktin që nuk mund të bënte dot fëmijë dhe e lejon të shoqin të martohet me Haxheren.
Sara doli mbi veten e saj për ta lejuar të shoqin të ketë pasardhës. Zoti i madhëruar i dhuroi një djalë Ibrahimit a.s, Ismaili.
Me urdhër të Zotit, Ibrahimi a.s udhëtoi së bashku me Haxheren dhe Ismailin e vogël, në një vend me male, në shkretëtirë. Këto janë mrekullitë e Zotit që ne shpesh nuk i kuptojmë. I dërgon atje dhe i thotë Zoti, ‘këtu do të jetoni’.
Në pamje të parë, nuk kishte logjikë. Haxherja e pyet Ibrahimin, këtu do të qëndrojmë? Ibrahimi i ka thënë po, se kështu ka urdhëruar Zoti.
Haxherja ka pranuar. Ibrahimi e vijoi jetën midis Haxheres e të birit si dhe një vendi tjetër ku qëndronte Sara.
Historia e Haxheres, e cila nga meraku për fëmijën, edhe vetë kishte etje. Një nënë e përkushtuar për fëmijën, ajo lëvizi nëpër dy kodrat Sefa dhe Merva në Mekë, me shpresën për të gjetur një burim uji për të shuar etjen e të birit. Nuk kishte. Ajo e merakosur kthehet e shkon tek i biri, Ismaili. Kur kthehet me kokën ulur, e dëshpëruar, aty shikon një njeri që ishte pranë Ibrahimit… dhe një burim. Ai njeri në fakt ishte Xhebrail Emini, i cili i thotë Haxheres “ti u mundove, por Zoti i ka merak njerëzit e tij”.
Dhe burimi i Zemzemit filloi të rrjedhë me furi të madhe. Vetë Haxherja i ka thënë “zem-zem”, që do të thotë përqendrohu, koncentrohu… sepse do të kishte shpërthyer si një lumë i madh. Uji i Zem-zemit që sot e kësaj dite shkojnë në Qabe e marrin miliona e miliona vetë, në mes të shkretëtirës.
Haxherja u gëzua, vetë kishte etje por i dha fëmijës. Aty u afruan shpendët si dhe fiset arabe. Aty Ismaili, djali i Haxheres e Ibrahimit, mëson gjuhën arabe.