Mbrëmjen e 30 janarit në Fushë Mëzes dis të shtëna me armë lanë të plagosur një 15 vjeçar. Autoritetet shkuan në vendin e ngjarjes dhe sipas hetimeve e dëshmive të marra, rezulton se plagosja e të miturit ka ndodhur si pasojë e një konflikti mes familjarëve.
Dy xhaxhallarët e 15 vjeçarit, 29 vjeçari Nazmi Pëllumbi dhe i vëllai binjak Florant Pëllumbi, dyshohet se janë konfliktuar mes tyre. Nazmiu ka qëlluar me armë në drejtim të vëllait të tij, por plumbat kanë kapur nipin 15 vjeçar. Ngjarja u zbardh falë mbledhjes së dëshmive të familjes së të miturit, konkretisht nënës së tij, e cila u ka treguar autoriteteve se çfarë ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së saj. Po sipas nënës së të miturit, dy kunetërit janë konfliktuar për çështje të shitjes së lëndëve narkotike (kokainë), një konflikt që ka degraduar në përdorimin e armëve..
Policia ka shpallur në kërkim 29 vjeçarin Nazmi Pëllumbi, personi i cili qëlloi me armë. Vëllai binjak i këtij të fundit është arrestuar. Policia ka kontrolluar banesën e tij dhe ka gjetur një sasi kokaine, e sekuestruar në cilësinë e provës material.
Fatmirësisht i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën edhe pse nga të shtënat i riu ka marrë tre plumba, dy në krah dhe një në shpatull.
Fillimisht familjarët kanë dhënë dëshmi kontradiktore në lidhje me plagosjen, duke bërë që autoritetet të shkojnë drejt zbulimit të ngjarjes. 15 vjeçari deklaroi se një makinë e zezë erdhi dhe qëlloi në banesë, dëshmi e cila binte në kontradiktë me të dhënat e mbledhura nga hetuesit. Njëjtë kontradiktore ishte dhe dëshmia e babait të të miturit (vëllai i binjakëve). Policia e ka shoqëruar dhe këtë të fundit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë Mëzez, ku mbeti i dëmtuar me armë zjarri një 15-vjeçar.
Shpallet në kërkim një 29-vjeçar (xhaxhai i 15-vjeçarit), pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta me vëllanë binjak, ka qëlluar me zjarri drejt tij dhe nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht 15-vjeçari (nipi i tyre).
Arrestohet binjaku i 29-vjeçarit, pasi iu gjet në banesë një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, kanë bënë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmë, në Fushë-Mëzez, ku mbeti i dëmtuar me armë zjarri 15-vjeçar.
Në vijim të veprimeve për këtë rast:
u shpall në kërkim shtetasi N. P., 29 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-u arrestua shtetasi F. P., 29 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi kokaine, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi N. P. gjatë një konflikti për motive të dobëta me vëllanë e tij binjak, shtetasin F. P., në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Nga këto të shtëna ka mbetur i dëmtuar 15-vjeçari (djali i vëllait tjetër të tyre), i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.