Tiranë, 40 vjeçari qëllon me thikë tre persona në një lokal në Laprakë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje në zonën e Laprakës, atje ku një 40 vjeçar i identifikuar si Elton Mergjushi, ka qëlluar me thikë tre persona.

Të lënduarit rezultojnë të jenë një 64 vjeçar, e bija 40 vjeçe dhe bashkëshorti i kësaj të fundit, 47 vjeçar (shtetas italian). Nga të dhënat paraprake, rezulton se 64 vjeçari ndodhet në gjendje kritike, pasi goditja e thikës e ka kapur në zemër.

Paraprakisht, mësohet se 40 vjeçari punonte në një kompani të shtetasit italian dhe së fundmi ishte pushuar nga puna. Gjithsesi motivi dhe e gjithë dinamika e ngjarjes mbeten ende për t’u vërtetuar nga ana e hetuesve dhe policisë.

40 vjeçari ndërkohë është arratisur nga vendi i ngjarjes. Autoritetet janë vënë në kërkim të tij.

“Më datë 04.03.2023, në Laprakë, në një lokal, shtetasi E. Gj., 40 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasit V. Rr., 64 vjeç, R. Rr., 40 vjeç dhe shtetasin M. M., 47 vjeç. Si pasojë 3 shtetasit janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë po kontrollojnë në zonë për kapjen e autorit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”-njoftuan autoritetet.