Tiranë: 52 vjeçari i sapodalë nga burgu tenton t’i marrë jetën të shoqes, e godet me thikë në qafë e trup

Një ngjarje kriminale ndodhi në kryeqytet, ku një 52 vjeçar qëlloi me thikë të shoqen.

Krimi ndodhi rreth orës 02: 15 të natës në rrugën ‘Xhanfize Keko” në Tiranë. 52 vjeçari i quajtur Jakup (Arben) Shahu goditi të shoqen me thikë në qafë dhe në trup. 46 vjeçarja u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

52 vjeçari rezulton të jetë një person me precedentë të mëparshëm kriminalë dhe së fundmi kishte dalë nga burgu.

Një pistë e hetimit është se 52 vjeçari ka tentuar të vrasë të shoqen për motive xhelozie.

E shkuara kriminale e autorit të ngjarjes

Nga ana tjetër, edhe në vitin 2011 zanafillë e krimit që çoi në burg për 13 vite 52 vjeçarin, ishte pikërisht xhelozia. Në atë kohë bashkëshortja e Shahut dyshonte se ai e tradhëtonte me një tjetër grua, bashkëshorten e 28 vjeçari Arjan Mejdani.

Në zonën e Selitës, gruaja e Shahut është përballur me gruan e Mejdanit, ndërsa më tutje konflikti ka kaluar mes dy burrave. Jakup Shahu ka qëlluar me armë për vdekje 28 vjeçarin dhe ka tentuar të arratiset mandej së bashku me një bashkëpunëtor të tij.

Të dy janë arrestuar disa kilometra në tutje, pasi makina me të cilën udhëtonin mbeti pa karburant.

Njoftimi policisë:

“Më datë 23.05.2024, rreth orës 02:15, në rrugën “Xhanfize Keko”, shtetasi J. Sh., 52 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës në trup dhe në qafë, bashkëshorten e tij, shtetasen E. Sh., 46 vjeçe.

46-vjeçarja ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, sqaron policia për krimin e ndodhur të enjten (23 maj)