Tiranë: Dy djemtë përleshen në ambientet e shkollës, 15 vjeçari godet me thikë shokun

Një adoleshent ka denoncuar në polici një bashkëmoshatar, i cili e ka goditur me thikë brenda ambienteve të një shkolle private në Tiranë.

Ngjarja e cila ka ndodhur më 18 shtator (e mërkurë), është bërë publike këtë të enjte fill pas denoncimit të 15 vjeçarit në polici.

Dy djemtë janë konfliktuar në shkollë pas një debati për motive të dobëta. Një nga 15 vjeçarët ka goditur me thikë bashkëmoshatarin, duke e lënë të plagosur.

Pasi ka marrë ndihmën mjekësore, i riu ka shkuar me të atin për të denoncuar rastin përballë autoriteteve.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjjthshëm Tiranë në ngarkim të një të mituri 15 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Ditën e djeshme, në ambientet e një shkolle private në rrugën “Filip Shiroka”, 15-vjeçari, për motive të dobëta, është konfliktuar me një bashkëmoshatarin e tij, dhe gjatë konfliktit dyshohet se e ka goditur atë me mjet prerës.

I dëmtuari pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është paraqitur për ankim në komisariat, së bashku me prindërit”, informoi sot policia.