Tiranë: I dha ilaçet e gabuara dhe bëri për spital 38 vjeçaren, shpallet në kërkim farmacistja 22 vjeçare

Policia e kryeqytetit ka shpallur në kërkim një farmaciste 22 vjeçare e cila i ka dhënë ilaçet e gabuara një tjetër qytetareje. Kjo e fundit, 38 vjeçare, pas konsumimit të ilaçeve është ndjerë keq dhe është transportuar në spital.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetases S. H., 22 vjeçe (farmaciste). Kjo shtetase, duke qenë e punësuar në një farmaci në Rrugën e Dibrës, dyshohet se i ka dhënë gabimisht medikamente mjekësore, shtetases M. K., 38 vjeçe, dhe si pasojë e konsumimit të tyre, 38-vjeçares iu kanë shkaktuar probleme shëndetësore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.