Tiranë: I mituri 3 vjeçar humb jetën tre ditë pas vizitës tek dentisti, detajet e ngjarjes së rëndë

Një fëmijë i mitur veçse tre vjeçar, ka ndërruar jetë në spitalin e kryeqytetit tre ditë pasi ka shfaqur komplikacione shendëtësore pas vizitës tek dentisti.

Siç njoftoi zyrtarisht policia, dentisti me inicialet R.Xh, 70 vjeçar, akuzohet për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, fill pas kallëzimit të babait të fëmijës së ndjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital.

Nga të dhënat që janë mësuar parapakisht, fëmija ka shkuar në klinikë për të mbushur një dhëmb, por mjeku u ka thënë prindërve se fëmija ka nevojë për rregullimin e një sërë dhëmbësh të tjerë. Për shkak të numrit të lartë, është vendosur të ndërhyhet me narkovë. Fëmija nuk është zgjuar nga narkoza, teksa mjeku u ka sugjeruar prindërve ta dërgojnë në shtëpi fëmijën pasi ai do të zgjohej eventualisht. Por i mituri nuk është zgjuar. Të shqetësuar prindërit kanë telefonuar klinikën e dentistit, por këta të fundit nuk i kanë hapur telefonin.

Prindërit e kanë dërguar në spital fëmijën dhe pas 2 ditësh në gjendje kome, i mituri ka ndërruar jetë.

Policia ka bërë veprimet e para, është marrë në pyetje mjeku dhe stafi i klinikës dhe kanë deklaruar se i kanë dhënë sasinë e duhur të ilaçit të narkozës. Pritet autopsia e të miturit për të hedhur dritë mbi rastin.