Tiranë: Kush ishte 68 vjeçari që ndërroi jetë në gjykatë, flet avokati mbrojtës: Donin ta martonin me zor

Kishte shkuar për të mësuar mbi datën e nisjes së gjyqit, por teksa priste të thirrej, u ndje keq dhe ndërroi jetë në sallën e pritjes, në ambientet e gjykatës penale në kryeqytet.

Ky ishte fundi i 68 vjeçarit Ilia Drini, i cili ishte profesor në artet marciale. Ai kishte lënë një takim me avokatin mbrojtës për të mësuar nëse gjyqi kundër tij do të fillonte.

Mbi 3 vite më parë (korrik 2020), ish bashkëjetuesja e kishte denoncuar për përndjekje 68 vjeçarin. Në kushtet e rënduara psikologjike, ish partnerja kishte tentuar edhe të vetëvritej me një dozë ilaçesh.

Në lidhje me rastin foli avokati mbrojtës i të ndjerit, i cili tregoi se Drini priste tanimë prej vitesh për drejtësinë.

“Nuk duhen shtyrë gjyqet… Akuzohej fillimisht për përndjekje, por pastaj për shkaktim vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur në 2020-ën. Ishte e dashura e tij, ose bashkëjetuesja, ajo kishte bërë një kallëzim penal e nxitur nga të tjerët që t’i merrte pasurinë. Ai ka nja 3 vjet që jetonte vetëm, ishte profesor i arteve marciale, një njeri shumë i nderuar.

Diçka kishte, e dinte datën 1 (shkurt), por mund të kishte ndonjë presion nga të tjerët. Mendoj se duhet hetuar nga Prokuroria, duhen parë tabulatet telefonike, donin ta martonin patjetër me bashkëjetuesen. Nuk vuante fare, nuk kishte asnjë gjë, i fuqishëm, 68 vjeç. Ishte mbajtur një seancë më parë, por gjykata se kishte njoftuar avokatin, pretendonin me çdo kusht ta martonin, familjarët e bashkëjetueses. Data 1 Shkurt 2024 ishte seanca e parë. Dosja ishte dorëzuar nga data 27 Tetor 2022. Jemi ende në seancë paraprake. O zotëri u kemi thënë që gjykatësit që lëvizin nga një rreth në tjetrin duhet ti mbarojnë çështjet vetë. Seanca nuk u hap se kanë ikur gjyqtarët, vinte ndonjë tjetër. 30 ditë është afati…Ne kemi marrë njoftim vetëm për datën e seancës, ne e dinim çështjen e mbyllur. Këtë informacion e kemi marrë pasi erdhi fletëthirrja për datën 1 Janar.

“Ata bashkëjetonin në atë kohë, por ajo vuante nga një sëmundje e rëndë dhe në këto kushte e detyruan të bënte këtë kallëzim, ishin intrigat…I bënin presion familjarët asaj”, tha avokati Ndue Pjetra.