Tiranë, një plumb qorr i shpoi mushkërinë 52 vjeçares italiane, flasin vajzat: E kanë lënë të presë

Janë orë të vështira ato që po përjetojnë familjarët e Agata Karbonara-s, 52 vjeçares italiane e cila u godit nga një plumb qorr gjatë natës së ndërrimit të viteve në Tiranë. Gruaja ndodhet në spital ende shkruan media italiane, teksa thekson se plumbin e ka marrë në mushkëri.

Familjarët e 52 vjeçares po kërkojnë që ndërhyrjen kirurgjikale gruaja ta kryejë në Itali. “Corriere” shkruan se plumbi qorr i ka kaluar në lartësinë e veshit e qafës, duke e goditur në trup e duke ndaluar në pjesën e sternumit.

“Zonja është e zgjuar, ndërsa ne jemi në pritje të njohjes së kuadrit klinik dhe dërgimit të saj drejt Italisë me helikopter. Në këtë moment që flasim, nuk kemi indikacione për transportimin”-shpjegoi përfaqësuesi ligjor i familjes, Vito Leonardo Candeloro.

Vajzat e 52 vjeçares ndërkohë, shprehen se ajo çfarë ka ndodhur u duket ende surreale.

“Ajo që po përjetojmë është surreale. Sot po rrezikojmë të humbim nënën për shkak të një akti të papërgjegjshëm nga një i çmendur, që ka qëlluar me armë në ajër duke goditur nënën e duke i shpuar mushkërinë.”-thonë motrat Gaua e Andrea.

“Në këto ditë, veç luftës për të mbijetuar, jemi detyruar të përballemi dhe me burokracitë që na kanë ndaluar ta sjellim nënën në Itali. Pyesim veten se me çfarë guximi dy patrullat e policisë, duke parë nënën tonë në një pellg me gjak, kanë mundur ta injorojnë. E si është e mundur që ajo ende po pret, me një plumb në mushkëri, që të mund të kurohet në shtetin e saj”-shkruajnë më tutje vajzat e 52 vjeçares.