Tiranë: Oficeri qëllon mbi qytetarin që ndaloi për kontroll! Shoferi: Po shkoja në spital tek djali

Një oficer i repartit “Shqiponja” i quajtur Rezart Berberi, është shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit, ndërsa dy kolegët e tij Elton Dokollari e Florian Zeneli janë nën masën e “detyrimit të paraqitjes”, fill pas zbulimit të një ngjarje që oficerët kanë fshehur.

Tre efektivët e policisë (reparti shqiponja) ndaluan disa muaj më parë për një kontroll rutinë një shtetas që udhëtonte në rrugën Tiranë- Fushë Krujë. Me të ndaluar, qytetari u ka dhënë dokumentat oficerëve dhe u ka kërkuar që të largohet sa më parë pasi fëmija i tij ishte shtruar në spital. Efektivët e ‘Shqiponjave’ nuk e kanë lejuar të largohet qytetarin, i cili pasi u ka treguar dokumentet është larguar me shpejtësi me makinën e tij.

Në këto momente, oficeri Rezart Berberi, 34 vjeçar, ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të makinës. Plumbat kanë kapur pjesën e pasme të makinës, ndërsa shoferi ka vijuar me shpejtësi rrugën.

Në bashkëpunim me njëri- tjetrin, oficerët kanë mbledhur gëzhojat dhe kanë prishur provat e tjera në vendngjarje. Rasti nuk është raportuar nga ana e tyre. AMP (Agjencia e Mbikqyrjes policore) ka nisur hetimet mbi ngjarjen fill pas denoncimit të qytetarit, duke ndaluar dy efektivët që ndihmuan 34 vjeçarin të fshehë provat. Oficeri që qëlloi është arratisur.

 2 efektivët në masën “detyrim paraqitje” Elton Dokollari dhe Florian Zeneli, kanë pretenduar se kolegu i tyre ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi qytetari ka tentuar t’i përplasë me makinën e tij.

Njoftimi i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin e kësaj Gjykate, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posacme “Shqiponja”:

-Inspektor R.B., 34 vjeç, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentash” dhe “Kallëzim i rremë”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij;
 
-Inspektor E.D., 46 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

-Inspektor F.Z., 37 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
 
Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.