Paraditen e të hënës një ngjarje e rëndë ndodhi në afërsi të ish-parkut të autobusëve në Tiranë, atje ku një pjesë e skelës së një pallati në ndërtim ra dhe zuri përposhtë dy kalimtarë, babë e bijë.
Të dy u dërguan në spital, ndërsa tanimë mësohet se gjendja shëndetësore e babait të moshuar, është e rëndë.
“Ju informojmë se pacienti me inicialet H.L. është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pacientja me iniciale I.Sh. në gjendje shëndetësore stabël, po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor”, njoftoi Spitali i Traumës.
Njoftimi i policisë
Më datë 22.01.2024, rreth orës 10:10, në bulevardin “Gjergj Fishta”, janë rrëzuar skelat e nje pallati në ndërtim e sipër, dhe si pasojë janë dëmtuar 2 shtetas (kalimtarë) H. L., rreth 70 vjeç, dhe I. Sh., rreth 45 vjeçe.
Dy të dëmtuarit ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në ambientet e Policisë janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.