Tiranë: Vëllai vret të vëllanë dhe më pas veten… zbulohet motivi i krimit, flasin fqinjët

Një krim i rëndë ndodhi mëngjesin e të enjtes në zonën e “Freskut” në Tiranë, atje ku një 63 vjeçar i identifikuar si Vehap Cami, ka qëlluar për vdekje vëllanë e tij më të madh, 68 vjeçarin Lulëzim Cami.

Gjithçka ka ndodhur në banesën ku jetonte me qira 68 vjeçari, i cili ka pritur që në mëngjes të vëllanë në shtëpi. Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë por nga ajo që mësohet deri më tani, Vehap Cami ka shkuar në shtëpinë e të vëllait dhe më tutje e ka qëlluar disa herë me një armë zjarri pistoletë. 68 vjeçari ka ndërruar jetë, ndërsa më tutje autori 63 vjeçar e ka drejtuar armën ndaj vetes, duke u vetëvrarë.

Besohet se në themel të kësaj ngjarje kanë qenë debatet e kahershme të vëllezërve për disa prona në Bulqizë, në vendlindjen e tyre.

Autori rezulton se jetonte në zonën e Lundrës, ndërsa ka udhëtuar që në mëngjes herët për të mbërritur në zonën e Freskut, atje ku qëndronte dhe i vëllai.

Në momentin e krimit, në shtëpinë e 68 vjeçarit kanë qenë dhe të tjerë familjarë të cilët fatmirësisht nuk janë lënduar.

Mbi ngjarjen ka folur dhe një grua e cila rezulton të jetë dhe pronarja e banesës ku qëndronte Lulzim Cami, 68 vjeçari që u vra nga i vëllai. Gruaja tregon se nuk kishte relata me familjen Cami, duke shtuar se në vendin e ngjarjes mbërriti kur dëgjoi të bërtiturat e disa grave.

“I dëgjuam gratë që bërtisnin. Unë nuk di gjë. Ne atë banesë e kemi me qera, por nuk i njohim si qeraxhi. Ai vëllai tjetër nuk jeton këtu, nuk e njoh. Ai erdhi sot këtu por se çfarë ka ndodhur nuk e di.”-tha gruaja.

‘Më datë 04.01.2023, në rrugën “Xhon Belushi”, te Fresku, shtetasi V. C., 63 vjeç, ka vrarë me armë zjarri vëllanë e tij, shtetasin L. C., 68 vjeç, dhe më pas ka vrarë veten.  Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.’- njoftoi më herët policia e Tiranës.