Tragjedi në Has:  Shtëpia përfshihet nga zjarri, djali hyn të shpëtojë nënën… të dy gjenden të pajetë

Një ngjarje tragjike ndodhi pas mesnate në fshatin Nikoliq të Hasit, atje ku si pasojë e zjarrit në banesë, humbën jetën nënë e bir.

Zjarri në banesën e familjes Lushi ka rënë rreth orës 02:00 të natës. Rexh Lushi, 51 vjeçar, ka arritur të nxjerrë nga flakët të shoqen dhe më pas ka rihyrë sërish në banesë, për të shpëtuar nënën e tij, Fatimen. Pavarësisht orvatjes së djalit për t’i shpëtuar jetën nënës së bllokuar, flakët dhe tymi i kanë marrë të dy. Nënë e bir nuk kanë mundur të dalin më nga banesa.

“Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit Rexh Lushi. Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi R.L  dhe nëna e tij, shtetasja F. L ndërsa bashkëshortja e shtetasit R.L, shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa”, njoftoni policia. 

Një prej fqinjëve tregoi se i ndjeri Rexh Lushi jetonte në banesë me të shoqen e nënën, ndërsa fëmijët e vëllezërit i kishte në emigrim.

“Rexha ka jetuar këtu, ndërsa fëmijët i ka në emigrim. Edhe vëllezërit i ka në emigrim në Angli. Vetë jetonte me nusen dhe me të ëmën. Në orën 1 të natës ka dalë jashtë dhe ka lajmëruar policinë. Ka hyrë për të nxjerrë nënën nga shtëpia dhe ka ngel. Bashkëshortja ka dalë jashtë dhe e ka thirrur: Hajde dil jashtë por nuk ka dalë, ka ngelur brenda”, ka rrëfyer fqinji.

Një tjetër fqinj, tregon se 57 vjeçarin dhe nënën e tij i kanë gjetur ende duke u djegur.

“Rexhën  e kemi gjet tu u kall akoma (duke u djegur) në kuzhinë. E kemi nxjerrë jashtë. Ishte i dëmtuar fare, i shkrirë komplet” tha banori fshatit.